Aktakuzë ndaj Dejan Pantiqit dhe tre personave tjerë për kryerje të veprës terroriste në zyrat e KKZ-së

Lajme

Aktakuzë ndaj Dejan Pantiqit dhe tre personave tjerë për kryerje të veprës terroriste në zyrat e KKZ-së

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 17:11
Foto ilustrim

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) njofton se ka ngritur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamenti Special, aktakuzë kundër katër të pandehurve M.M., A.V., D.P dhe M.V., për kryerje të veprës terroriste.

“Betimi për Drejtësi” mëson se bëhet fjalë për Dejan Pantiq, Milan Milenkoviq, Aleksandar Vlajiq dhe Miomir Vakiq.

Në njoftimin e PSRK-së, thuhet se katër të akuzuarit ngarkohen se në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, për të pamundësuar zgjedhjet lokale, derisa zyrtarët e KQZ-së kanë shkuar për të hapë zyrën, të pandehurit bashkë me të tjerë kanë kryer sulm terrorist, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit M.M, A.V, D.P dhe M.V., në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhorë në Mitrovicën e Veriut në rrugën “Kollashinska”, me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, të detyrimit të padrejtë të një organi publik në këtë rast KQZ-së, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës, për derisa zyrtarët e KQZ-së, së bashku me zyrtarë policorë kanë shkuar për të hapë zyrën, këta të pandehur me persona të tjerë ende të pa identifikuar kanë kryer sulm terrorist duke hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba në drejtim të zyrës së lartë përmendur”, thuhet në njoftim.

Sipas PSRK-së, me këtë rast, njëra granatë dhe dy shok bombat kanë shpërthyer ku si rezultat i kësaj janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, si dhe është rrezikuar seriozisht jeta e zyrtarëve të KQZ-së, dhe zyrtarëve policorë.

Me këtë, ngarkohen se në bashkëkryerje të pandehurit M.M, A.V, D.P dhe M.V., kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste’’ nga neni 129, paragrafi 1 lidhur me nenin 128 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.Më 12 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi një muaj paraburgim ndaj ish-policit serb, Dejan Pantiq, ndërsa më 28 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ia zëvendësoi masën e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Më pas, PSRK njoftoi se kjo masë u ndryshua duke u bazuar në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht human.

“Pas vizitave të ekipeve mjekësore të EULEX-it, të cilët kanë konstatuar gjendje jo të mirë shëndetësore për të pandehurin, ata kanë rekomanduar trajtim në një qendër spitalore, megjithatë as ky rekomandim nuk u realizua. Prokuroria Speciale e Kosovës, duke u bazuar në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht aspektin human i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, zëvendësimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Pantiq, pasi që i njëjti ishte në pamundësi t’i gëzojë të drejtat që ju takojnë të paraburgosurve në qendrat e paraburgimit”, thuhej në njoftim.

Më 5 janar 2023 iu vazhdua kjo masë edhe për dy muaj. Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Sepecial, në maj ia kishte vazhduar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjate prej dy muajsh ish-policit serb Dejan Pantiq.

Ndryshe, më 6 shtator 2023, Themelorja kishte aprovuar kërkesën e mbrojtjes së Pantiqit, duke ia zëvendësuar masën e arrestit shtëpiak me atë të dorëzanisë në shumën prej 30 mijë euro.

Pantiq ishte arrestuar më 10 dhjetor 2022 në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, ndërsa arrestimi i tij kishte nxitur reagime nga pala serbe, e që u pasua me vendosjen e barrikadave në pika kufitare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat