Serbia me dy evidenca të votuesve në Kosovë

Lajme

Serbia me dy evidenca të votuesve në Kosovë

Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 16:10
Votimi për zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Serbi. Beograd, 21 qershor 2020.

“Do të doja të ishim më shumë, nganjëherë nuk kemi me kë të pimë kafe”, thotë Spasa Andrejeviq.

Ai u kthye në fshatin e tij të lindjes, Novakë – në komunën e Prizrenit në jugperëndim të Kosovës – në vitin 2004.

Është i punësuar në Zyrën lokale për Kthim në Komunën e Prizrenit, sipas sistemit të Kosovës, thotë se, viteve të fundit, nuk kishte pothuajse fare kthim të serbëve në Kosovë.

Se sa votues nga komunat e Kosovës do të mund të votojnë në zgjedhjet e ardhshme në Serbi, më 17 dhjetor, do të mund të dihet pas mbylljes së listës zgjedhore. Afati ligjor i Komisionit Republikan Zgjedhor të Serbisë për ta bërë këtë, është mesnata e së enjtes, kur në Serbi nis heshtja zgjedhore.

Ndërkohë, në një faqe të internetit në Serbi janë të disponueshme disa të dhëna zyrtare për numrin e zgjedhësve në komuna dhe rrethe, të cilat, çdo tremujor, i publikon Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë. Aty, qytetarët mund të gjejnë edhe informacione për statusin e tyre në listën e zgjedhësve.

Por, të dhënat që mbledh Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, nuk përputhen me numrin përfundimtar të votuesve, të konstatuar nga Komisioni Republikan Zgjedhor, tregon një hulumtim i Radios Evropa e Lirë, i bazuar në të dhënat e viteve të kaluara.

Mospërputhjet janë më të theksuara kur bëhet fjalë për votuesit nga Kosova.

Derisa në zgjedhjet e fundit në Serbi, në prill të vitit të kaluar, të drejtë vote kishin 93.5 mijë qytetarë nga komunat e Kosovës, të dhënat e Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të 23 tetorit, 2023, flasin për gati mbi 30.000 votues më shumë, përkatësisht mbi 122.000.

Vujo Illiq, politolog, i cili prej vitesh hulumton procesin zgjedhor, thotë se kjo situatë përsëritet vit pas viti, ndërsa institucionet shtetërore nuk japin asnjë shpjegim në lidhje me të.

“Sa i përket numrit të votuesve në Kosovë, ka dallim mes të dhënave [të ministrisë] dhe listave të mbyllura. Mund të supozojmë se bëhet fjalë për persona të zhvendosur brenda vendit, vendbanimi i të cilëve është në Kosovë, por që votojnë në bazë të vendbanimit në komunat në Serbinë qendrore. Por, kjo është vetëm hamendje”, thotë Illiq për Radion Evropa e Lirë.

Për shembull, në komunën e Prizrenit, ku jeton Spasa Andrejeviq, thuhet se të drejtë vote kanë 4.748 qytetarë, pra 3.500 qytetarë më shumë se në listën zgjedhore të vitit të kaluar.

“Jo, jo, kjo nuk është reale. Kjo nuk është një situatë realiste”, thotë Andrejeviq, i pyetur për t’i komentuar këto dallime.

Sipas ligjit serb, një pjesë e listës zgjedhore për zonën e njësisë së vetëqeverisjes lokale përditësohet nga administrata komunale, përkatësisht e qytetit.

Të dhënat për numrin e votuesve, REL-i i analizoi në bazë të tri grupeve të të dhënave shtetërore: numrit përfundimtar të votuesve në zgjedhjet në qershor të vitit 2020, në prill të vitit 2022 dhe të dhënave që publikoi Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në tetor, para zgjedhjeve të 17 dhjetorit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Administratës Shtetërore, në Prishtinë janë 4.436 votues më shumë se në listën e fundit zgjedhore. Në Prizren ka mospërputhje për rreth 3.500 votues, ndërsa në Pejë për pak më shumë se 3.100.

Të gjitha këto komuna janë në jug të Lumit Ibër, ku kthim të serbëve nuk ka pothuajse fare.

“Fatkeqësisht, këtë vit kemi vetëm 53 të kthyer të regjistruar. Një rritje e tillë [e numrit të votuesve në Kosovë] është thjesht e pamundur”, thotë Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave të kësaj ministrie, kthim shumë më të madh nuk ka pasur as në vitin 2022, kur janë kthyer vetëm 57 qytetarë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat