“U nderuan sulmuesit e Banjskës, shkelje të ujdive”: Raporti i Progresit për Serbinë me plot qortime

Lajme

“U nderuan sulmuesit e Banjskës, shkelje të ujdive”: Raporti i Progresit për Serbinë me plot qortime

Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 20:28
Aleksander Vuçiq

Shumëçka u tha në Raportin e Progresit vjetor të Komisionit Evropian për Serbinë në marërdhënien destruktive të saj kundrejt Kosovës ku edhe pati kritika, qortime e vërejtje të ashpra ndaj Beogradit zyrtar në tekstin prej 160 faqesh të botuar sot; duke nisur prej evidentimit të “shkeljeve të rënda” që janë bërë në vetë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën nga qeveria serbe në politikat e saj në kuadrin kohor prej një viti.

Vërejtja më goditëse që i bëhet Serbisë nga ky institucion i lartë i BE-së – ku mprehtësia e toneve është e padëgjuar gjatë këtij një vjetshi dhe radikalisht ndryshe nga deklarimet ditore të zëdhënësve evropianë – është shtyrja dhe detyrimi i serbëve për t’u larguar nga institucionet kosovare në nëntor të vitit 2022 si dhe thirrja për bojkot të zgjedhjeve të prillit në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe; gjëra të cilat i quan edhe të “kthim të rëndë prapa” dhe me adresë të qartē faji: Serbinë.

Këto dy “kthime të rënda prapa” Raporti i Progresit i quan “shkelje të detyrimeve të Serbisë në dialogun për normalizim të marrëdhënieve” dhe që “përbëjnë një kthim të rëndë në pajtueshmërinë e Serbisë me ‘Marrëveshjen e parë të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve’ të prillit 2013 dhe shkelje të drejtpërdrejtë të Marrëveshjes së Drejtësisë të vitit 2015”.

Në lidhje me sulmin terrorist dhe paramilitar në Banjskë të Zveçanit, Raporti i Progresit i kushton rëndësi të veçantë dhe të kujdesshme ngjarjes; ku madje vëren që Beogradi shpalli ditë zie kombëtare për sulmuesit dhe se kjo gjë në BE “është vështruar si nderim përkujtimor i tyre” dhe që madje për Milan Radojiçiqin thotë vetëm që “u mor në pyetje dhe u lirua”.

“(…) nënkryetari i Listës Serbe, përmes avokatit të tij, njoftoi se ai kishte përgatitur dhe koordinuar sulmin. Ai u mor në pyetje nga autoritetet serbe, u ndalua pak kohë dhe u lirua me pasaportën e konfiskuar. Qeveria serbe shpalli një ditë zie ‘për ngjarje tragjike’, e cila u vështrua në masë të madhe si përkujtim nderimi i sulmuesve”.

Mes të tjerash, duke folur për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Raporti i Progresit i bën thirrje Serbisë që të kryejë detyrimet e saj e që më në fund të bëhet gjendja që “serbët në veri të nisin të paguajnë për energjinë elektrike të konsumuar në veri”.

Serbia kritikohet gjithashtu për mospërmbushje të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufijve; teksa i kërkon përmbushjen e atyre detyrimeve.

“Vetëm dy nga gjashtë Pikëkalimet Kufitare të e përhershme janë themeluar (Merdare dhe Mutivodë/Mutivode). Serbia ende nuk ka krijuar PK të përhershme për t’u pritur pranë saj (Jarinje/Rudnica, Končulj/Dheu i Bardhë dhe Depce/Muçibabë), gjë që çoi në një pezullim të fondeve të BE-së për këtë projekt në korrik 2018. Përveç kësaj, Serbia duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar ndërtimin e PK-së së tretë të pritur nga Kosova në veri të Kosovës në Tabavije/Bërnjak-Tabalije/Brnjak. Nga Serbia kërkohen përpjekje shtesë për mbylljen e rrugëve dhe anashkalimeve ilegale për të siguruar përdorimin ekskluziv të pikave të kalimit zyrtar për mallrat dhe personat që hyjnë ose dalin nga Kosova”, shkruhet në Raportin e Progresit.

Për rastin e sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it (93 trupave) në Zveçan më 29 maj dhe në sulmin terrorist të Banjskës Raporti vëren që prokuroria serbe as që i ka trajtuar fare si raste. Ndërkaq vëren se për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës “është përkeqësuar” edhe mëtej mosadresimi i tyre nga prokuroria e Serbisë.

“Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit. Përkundër përfundimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, Dialogu është penguar gjatë gjithë periudhës raportuese nga një sërë zhvillimesh dhe krizash negative në veri të Kosovës të shkaktuara nga veprimet e njërës ose të të dyja palëve. Kosova ka kryer një sërë veprimesh të tilla në veri të Kosovës, duke përfshirë praninë e shtuar të policisë speciale të Kosovës dhe shpronësimin e tokës, të cilat kanë krijuar përhapje të gjerë”, thuhet në raport.

“Pakënaqësia në mesin e popullatës lokale serbe të Kosovës dhe ndikoi negativisht në Dialog. Dorëheqja masive e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës – policia, gjyqësori dhe administrata – në nëntor 2022, bllokimet e rrugëve në veri të Kosovës si reagim ndaj arrestimeve të serbëve të Kosovës në dhjetor 2022, si dhe bojkoti i zgjedhjeve të parakohshme lokale në prill të vitit 2023 nga serbët e Kosovës e dëmtoi edhe më tej Dialogun dhe e përkeqësoi atmosferën negative rreth tij. Si rezultat i largimit të serbëve të Kosovës nga të gjitha institucionet e Kosovës në nëntor 2022, zgjedhjet e pjesshme u mbajtën në katër komunat me shumicë serbe të Kosovës në veri të Kosovës më 23 prill 2023”, thuhet në raport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat