Mbi 8 mijë aplikime për subvencionimin e pajisjeve efiçiente

Lajme

Mbi 8 mijë aplikime për subvencionimin e pajisjeve efiçiente

Më: 20 tetor 2023 Në ora: 07:36
Foto ilustrim

Thirrja publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje u hap më 22 shtator dhe deri tani, janë bërë mijëra aplikime. Nga Ministria e Ekonomisë kanë deklaruar se ky numër pritet të rritet

U hap pak javë më parë dhe deri tani thirrja publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje numëron 8088 aplikime.

Nga pajiset efiçiente për ngrohje, më së shumti interesim, qytetarët kanë shfaqur për klimat.

“Pajisjet për të cilat ka interes më të lartë janë klimë inverteri ndërsa më pak, ka në stufa. (dip) Këto paisje iu ndihmojnë qytetarëve, sidomos tek klimat ëhtë vërejtur kursim i jashtëzakonshëm. Deri në 40 përqind kanë kursyer”, ka deklaruar Mirlinda Behluli, Ministria e Ekonomisë.

Normat e subvencionimit dhe përqindjet e tyre për kategori janë të ndryshme, e megjithatë, sipas Behlulit, qytetarët mbesin të kënaqur.

Sipas ekspertit të energjisë, Lulzim Syla, një thirrje e tillë duhet aplikuar edhe gjatë viteve të ardhshme.

“Këto pajisje mund të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e konsumit, kështu që kjo praktikë duhet vazhdohet edhe në vitet e ardhshme dhe të shtohet numri i kompetenteve siç janë panelet solare e termike sepse çdo mbështetje e qytetarit është mbështetje ekonomike për Kosovën”, ka sqaruar Lulzim Syla, ekspert i energjisë.

Nga të gjitha kategoritë, me numër më të lartë të aplikantëve kryeson kategoria e rasteve sociale.

Mundësia për aplikim do jetë e hapur deri më 22 nëntor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat