"Tash serbët duhet ta pyesin Kosovën që t'i marrë mbrapsht": Politologu Gogiq analizon vendimin e fundit të Listës Serbe

Lajme

"Tash serbët duhet ta pyesin Kosovën që t'i marrë mbrapsht": Politologu Gogiq analizon vendimin e fundit të Listës Serbe

Më: 18 tetor 2023 Në ora: 15:16
Ognjen Gogiq

Të gjithë i mbajmë mend skenat dramatike të largimit të serbëve të Kosovës nga institucionet e vendit. Marrëveshja e 2013-s u quajt ‘e vdekur’. Integrimi i serbëve u quajt ‘i vdekur’. Jeta u quajt ‘e vdekur’.

Ndodhi në nëntorin e vitit të kaluar. E këtë shtator ndodhi diçka tjetër: Millan Radojiçiqi bëri sulm terrorist. Serbët tash po duan të kthehen. Të paktën, do Lista Serbe që e kishte nënkryetar Radojiçiqin. Për ta shtjelluar këtë çështje folëm me një nga politologët më të mirë në Kosovë, z. Ognjen Gogiq.

Natyrisht, serbët e Kosovës janë njerëz të zgjuar e të ndershëm ashtu siç janë të gjitha komunitetet e vendit. Por, partia të cilën e kishin votuar – Lista Serbe në Kosovë e Vuçiqi në Serbi – po duken goxha qesharakë shkaku i një vendimi të tmerrshëm që e kishin marrë në nëntor të vitit të kaluar.

Shumë serbë të thjeshtë e pësuan keq. Mbetën pa rrogat e mira të buxhetit të Kosovës. Në vend të tyre i marrin do rroga të lodhta nga Serbia. Ose, edhe s’marrin hiç. Por, në rrafshin politik, ata i shtruan disa kërkesa për rikthim prej të cilave – me të drejtë – asnjëra nuk u plotësua.

Të paktën, kështu duket tabloja nëse shihet prej larg.

Nga më afër, e nga më thellë, na e shpjegon krejt këtë ecuri të çuditshme politologu Ognjen Gogiq.

E pyetëm Gogiqin nëse Lista Serbe me Vuçiqin do të dukeshin budallenj edhe para serbëve të Kosovës marrë parasysh që u larguan nga institucionet e Kosovës, praktikisht, për asgjë fare. Meqë tash, shprehën gatishmërinë për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Nuk do të thoja se po duken budallenj sepse votuesit e Listës Serbe mund të gëlltisin përnjëmend gjithçka.” – na tha fillimisht ai.

Ai më pas argumenton se pse këta votues gëlltisin gjithçka.

“Përgjatë dekadës së kaluar, prej që morën kontrollin – Lista Serbe te serbët e Kosovës dhe Vuçiqi në Serbi – kanë bërë një varg gjërash qesharake por votuesit nuk ishin kritikë ndaj tyre. Edhe kur bëjnë diçka kontradiktore – apo diçka që s’ka kuptim – vazhdojnë të mbajnë mbështetjen popullore pavarësisht se çka bëjnë. Votuesit e tyre s’do t’i shohin si budallenj.”

Mjaft dekurajuese, apo jo? Në fakt, shumë dekurajuese ta kuptosh se përkundër që mund të bësh gabime kaq të rënda megjithatë shpëton pa u ndëshkuar. E megjithatë, një ndëshkim do të ndodhë. Një ndëshkim i rëndë dhe i madh.

“Kështu që në këtë drejtim nuk ka ndonjë shqetësim se do ta humbasin mbështetjen popullore. Natyrisht se do të duken si budallenj para shqiptarëve, Prishtinës, në sytë e komunitetit ndërkombëtar, opozitës në Serbi, por atyre s’iu bën për këtë gjë. Kjo nuk ka ndonjë rëndësi për ta. Kështu që për mua është e qartë, sinjal i qartë, se sa shumë ndryshoi pozicioni i Beogradit... pas sulmit të Banjskës pozicioni i Beogradit u dobësua tepër shumë.” – argumentoi Gogiq.

Politologu kosovar shprehet se shtytja e Serbisë ndaj serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje ishte që ta përmirësonte pozicionin e saj ndërkombëtar, gjë që iu kthye si bumerang i vërtetë.

“Ata nuk kanë mundësinë më që të kushtëzojnë rikthimin e serbëve në institucione dhe të shantazhojnë apo të vënë kërkesa apo kushtëzime për këtë gjë. Ata e kanë humbur shansin e tyre. Tash iu duhet të bëjnë thjesht kontroll dëmesh.”

Ky dobësim i pozicionit, sipas politologut serb nga Kosova e ka dobësuar aq shumë pozicionin e serbëve sa këta të fundit duhet të pyesin Prishtinën për kushtet e saj që të rikthehen në institucionet e vendit.

“Puna është se deri në kohën e Banjskës serbët ishin në pozicionin ku mund të kushtëzonin kthimin e tyre (në institucione të Kosovës). Të vinin kushtet e tyre për rikthim. Tash, gjërat janë përmbysur. Tash, serbët duhet ta pyesin Prishtinën që t’i marrë mbrapsht me kushte të Prishtinës. Gjë që tregon se sa shumë e prishën pozicionin e tyre.”

Fatkeqësisht ka një por. Dhe ka një por të madh në analizën e z. Gogiq. Ai argumenton se megjithë turpërimin që i ndodhi Serbisë, ajo e ka pasur një qëllim të fshehtë e të cilin e ka arritur.

“Dhe mendoj që veprimi për t’i larguar serbët – për t’i detyruar, inkurajuar apo bindur (që të largohen) – që të largoheshin nga institucionet në nëntor të vitit të kaluar ishte mendoj pjesë e procesit negociator sepse Serbia nuk ishte aq e dhënë pas nënshkrimit apo pranimit të propozimit franko-gjerman. Dhe çfarë donin të arrinin (me largimin e serbëve) ishte që ta parandalonin propozimin që të pranohej ndonjëherë sepse menduan që të krijonin një krizë të re, se duhej të ktheheshin te Marrëveshja e Brukselit, e se askush nuk do të bënte presion më. Ky ishte plani A. Plani B ishte që ajo marrëveshje pranohet dhe meqë i kemi serbët jashtë institucioneve atëherë do të prishnin, minonin, atë marrëveshje që të zbatohej. Gjë që edhe ndodhi. E edhe pse tash iu duhet që të turpërohen që duken si budallenj, ata e arritën qëllimin.”

Nëse do të ketë ose jo vazhdim të dialogut në formatin aktual me sekuencim të planit të zbatimit për Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit mbetet të shihet. Aktualisht, Kosova kërkon që Serbia të sanksionohet nga BE-ja para se të ketë vazhdim të dialogut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat