Krejt çka tha gazetari serb sot gjatë dëshmisë në Hagë

Lajme

Krejt çka tha gazetari serb sot gjatë dëshmisë në Hagë

Më: 9 tetor 2023 Në ora: 16:26
Nebojsha Radosheviq

Nebojsha Radosheviq, gazetar i Tanjugut në kohën e luftës ka qenë dëshmitari i 28-të në rastin e krerëve të UÇK-së. Ai është pyetur për profesionin, shkollimin, punën si pjesëtar i Qeverisë së Serbisë, dhe marrjen në pyetje nga Prokuroria e Hagës.

Prokuror të Prokurorisë në Serbi e kishin kontaktuar gazetarin Nebojsha Radosheviq për të treguar rreth një ndalimi nga disa pjesëtarë të UÇK-së në kohën e luftës. Madje, një prokuror serb ishte prezent përgjatë kohës që Radosheviq ishte marrë në pyetje nga Prokuroria e Specializuar në Hagë.

Këtë e ka konfirmuar vetë Radosheviq gjatë marrjes në pyetje ditën e sotme nga avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Keohe.

“Kur keni dhënë intervistë në ZPS-së në vitin 2019 ju ishit i punësuar nga qeveria serbe dhe në fakt gjatë intervistës ka qenë i pranishëm edhe një prokuror i Serbisë?”, e pyeti avokati Keohe.

“Po, ka qenë i pranishëm një prokuror serb. Ata më thirrën për të dhënë dëshmi”, u përgjigj gazetari.

Gazetari e ka pranuar se deri në vitin 2021 kishte punuar për mediumin KosovoOnline. Ai duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit thotë se është paguar nga Qeveria e Serbisë.

“A punoni për shumë media dhe punoni për qeverinë federale serbe”, pyeti Keohe.

“Jam larguar nga KosovoOnline në vitin 2021. Po kam punuar për qeverinë (serbe) gjatë gjithë kohës. Qeveria e republikës”, u përgjigj gazetari.

Radosheviq e pranon se në Kosoë ishte ndaluar bashkë me fotoreporterin Vladimir Dobriçiq. I njëjti ishte dyshuar edhe për krime lufte në Kroaci. Megjithatë, Radosheviq ka thënë se nuk ka ditur shumë për kolegun, dhe se nuk i ka pëlqyer si person.

“A e dinit se Dobriçiq ishte i përfshirë në krime lufte?”, pyeti Keohe.

“Jo. Ai dukej person i dyshimtë, prandaj nuk më pëlqente”, u përgjigj gazetari Radoseviq.

“Ju keni hëngër e keni pirë, keni pushuar, e nuk e dini që ai ka qenë i përfshirë në dy luftëra. Këtë po thoni ju?”, e pyeti sërish Keohe.

“Fiks, kështu është”, u përgjigj ai.

Avokati Keohe e pyeti dëshmitarin edhe për shkollimin. Ai tha se kishte filluar studimet për bujqësi, të cilat i kishte ndërprerë. Hera e parë që shkoi të raportonte diku, ishte ajo kur erdhi në Kosovë për të raportuar për luftën.

“Kur të punësoi Tanjugu keni qenë reporteri i vetëm në Prishtinë, saktë?”, pyeti Keohe.

“Nuk kisha përvojë, por mësova”, u përgjigj gazetari.

“Ata iu punësuan si reporteri i vetëm në Prishtinë, ën vend që të punësonin dikënd që të kishte përvojë në gazetari?”, pyeti Keohe.

“Po, pajtohem me ju”, u përgjigj dëshmitari.

Por, cila ishte historia e ndalimit të dy gazetarëve?

Qysh në hyrje të seancës, prokurori e shpalosi një përmbledhje të shkurtër.

“Radosheviq ka qenë gazetar i Tanjugut që nga fillimi i 1996, më 18 tetor 1998 po udhëtonte me një automjet me një fotograf të Tanjugut, dhe u ndalua në një pikë kontrolli të UÇK-së. Janë mbajtur të ndaluar në 4 vende për 41 ditë, përfshirë edhe një vend në Sedllar ajo që ai beson se është Kleçka. Gjatë kësaj kohe një anëtar i UÇK-së ia ka vendosur një armë në gojë dhe ai ka pasur logon e UÇK-së. Ai është kërcënuar me thikë dhe ai dëgjonte dy policë serbë që bërtisnin sepse po i rrihnin. Radosheviq dhe Dobriçiq janë dënuar sepse kanë udhëtuar në territorin e UÇK-së pa leje dhe pa verifikim dhe u dënuan me 60 ditë burgim. Ai thotë se nuk i është dhënë mundësia të flasë. Dobriçiq u liruan më 27 nëntor 1998 dhe i thanë se ishte dhënë amnisti për ditën e flamurit”, deklaroi prokurori.

Dëshmitari gjatë marrjes në pyetje nuk u ankua lidhur me kushtet e ndalimit. Ai tha se nuk kishin marrë pjesë në ndonjë gjykim, e as nuk e kishin pasur të drejtën për avokat.

“Jo. Këta njerëz erdhën e na njoftuan se kishin filluar procedurat kundër nesh, nuk kemi qenë të pranishëm në asgjë. Vetëm na informuan më vonë që do të na lironin. Nuk kemi marrë pjesë në asnjë vend që po bëhej gjykim”, tha ai gjatë seancës.

“Jo, ne nuk na kanë dhënë asgjë. Po kemi kërkuar. E kërkova, Dobriçiqi ishte afër me mua, e kemi kërkuar. Por këtë e kërkova në ditën e 14-të dhe nuk kam marrë diçka të tillë. Kur unë ia kërkova dokumentin, herën tjetër kur kërkova ishte dita e 20 apo 21 kur ishim në Kleçkë. Disa persona na thanë se ishim dënuar me 61 ditë burg për shkak se kemi hyrë paligjshëm në Kosovë dhe s’kemi pasur shenja identifikuese të shtypit në makinë. Ai më tha se këto ishin kushte lufte. Më pyeti nëse mund të iu ndihmojmë, thashë kemi ftohtë. Dhe më pas na dhanë dy batanije”, tha dëshmitari më tutje.

Dëshmitari tregoi se nga disa kontakte të tij, kishte marrë vesh për një diskutim që kishte pasur Adem Demaçi me Hashim Thaçin për lirimin e dy gazetarëve.

“Në dhjetor apo janar 1998-1999, kur u lirova, qëndrova për pak kohë në Prishtinë. Më pas ish e dashura ime dhe tashmë gruaja ime udhëtuam. Demaçi i tha Thaçit më mirë t’i lirojmë këta gazetarët, sepse po në bëjnë shumë trysni, dhe Thaçi u përgjigj: do t’i liroj kur të vendosi unë për t’i liruar unë, e jo kur të më tregosh ti. Këtë kam dëgjuar në lidhje me këtë. E kisha kushëri, ishte me pozitë të lartë, ai dinte këto informacione”, tha dëshmitari.

Dëshmitari do të merret në pyetje gjatë gjithë javës, edhe nga avokatët e Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat