Klan Kosova e fitoi edhe në shkallë të dytë rastin ndaj MINT-it

Lajme

Klan Kosova e fitoi edhe në shkallë të dytë rastin ndaj MINT-it

Më: 18 shtator 2023 Në ora: 19:21
Klan Kosova

Klan Kosova e fitoi sot edhe në shkallë të dytë rastin gjyqësor nga tentativa e MINT-it për ta mbyllur mediumin.

Gjykata Komerciale, e refuzoi ankesën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, duke e cilësuar si të pabazë.

Me aktvendimin e ankimuar të Gjykatës Komerciale, Dhomat e Shkallës së Parë-Departamenti për Çështje Administrative, ka aprovuar kërkesën e paditësit Klan Kosova Sh.p.k me seli në Zonën Industriale, ish Fabrika e Amortizatoreve, në Prishtinë, për shtyrjen e ekzekutimit te vendimeve të paditurës, si dhe ka vendosur të shtyhet ekzekutimi i Vendimit nr.4566/01 i dt. 28.07.2023 i Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve si dhe Vendimit nr. 309/11 i dt. 14.06.2023 i nxjerr nga Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë, derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit”.

”Kundër këtij aktvendimi ka ushtruar ankesë e paditura, për shkak të: shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe aplikimit të gabuar të drejtës materiale, me propozim që gjykata të aprovoj ankesën si të bazuar, të prishet aktvendimi KA.nr.315/23 i datës 02.08.2023 i Gjykatës Komerciale, Dhomat e Shkallës së Parë-Departamenti për Çështje Administrative si dhe të refuzohet në tersi si e pabazuar kërkesa e paditësit Klan Kosova Sh.p.k me seli në Zonën Industriale, ish Fabrika e Amortizatoreve, Prishtinë, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nr.4566/01 i dt. 28.07.2023 të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe Vendimit 309/11 i dt. 14.06.2023 i nxjerr nga Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë”, thuhet në vendimin e lëshuar nga Komercialja.

Gjykata Komerciale, pas shqyrtimit të lëndës, ka gjetur se:

Ankesa është e pabazuar Duke shqyrtuar shkresat e lëndës, aktvendimin e kundërshtuar sipas ankesës së të paditurës, kolegji i kësaj gjykate gjen se, gjykata e shkallës së parë, pas shqyrtimit të propozimit të paditësit, për shtyrje e ekzekutimit të vendimit të paditurit nr.4566/01 të dt. 28.07.2023, dhe vendimit nr.309/11 i dt. 14.06.2023 ka gjetur se ekzekutimi i vendimit kontestues, paditësit do ti sillte dëm vështirë të riparueshëm, ndërsa shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik. Propozuesi pretendimet e paraqitura në propozim i ka mbështetur në argumente të mjaftueshme. Gjykata gjatë vlerësimit të propozimit të paditësit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar, iu ka referuar dispozitave ligjore të nenit 22 par.2 të Ligjit për Konfliktin Administrativ (LKA)”.

Kolegji i Dhomës së Shkallës së Dytë, duke u nisur nga gjendja e tillë e çështjes, pranon në tërësi si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e tillë të gjykatës së shkallës së parë, ngase edhe sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate, në rastin konkret, janë plotësuar në mënyrë kumulative kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ të paraparë në nenin 22 par.2 të Ligjit për Konfliktet Administrative. Me këtë dispozitë juridike, është paraparë që shtyrja mund të bëhet: nëse ekzekutimi i aktit administrativ do t’i sillte dëm paditësit, i cili vështirë do të riparohej, kurse shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, e as që shtyrja do ti sillte ndonjë dëm palës kundërshtare përkatësisht personit të interesuar”.

”Duke i marrë parasysh pretendimet ankimore të paditurës në ankesë, të cekura më lartë ndaj aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë, kolegji vlerëson se të njëjtat janë jo të vërtetuara, të pamjaftueshme dhe jo bindëse për tu aprovuar ankesa dhe për t’u refuzuar propozimi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të atakuar deri në vendosjen sipas padisë së paditësit. Ngase edhe vlerësimi i kolegjit është se janë përmbushur kushtet ligjore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të ankimuar, siç parashihet në nenin 22 par.2 të LKA-së”.

Në rastin konkret kolegji i kësaj gjykate e pranon përfundimin e shkallës së parë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurës, për shkak se Dhoma e shkallës së parë e ka arsyetuar në masë të mjaftueshme përfundimin e saj për aprovimin e kërkesës për shtyrje të ekzekutimit të vendimit.

”Kjo për faktin se ka rezultuar se paditësi-propozuesi e ka mbështetur në argumente të mjaftueshme faktin se ekziston rreziku se me ekzekutimin e vendimit kontestues, paditësit do ti shkaktohet dëm i pariparueshëm pasi që me pezullimin e certifikatës se biznesit, paditësi nuk mund të ushtroj veprimtarin ekonomike, rrjedhimisht do të rezultojë edhe me revokimin e licencën nga Komisioni i Pavarur për Media për ushtrimin e funksionit të ofruesit të shërbimeve mediale audiovizuale. Si rrjedhojë do të kishte për pasoj ndërprerjen e marrëdhënies se punës për rreth 220 punëtor si dhe me ndërprerjen e marrëdhënieve tjera kontraktuale me palët e treta, rrethana këto që në rast të ekzekutimit të vendimeve kontestuese paditësit do ti sillnin dëme vështirë të riparueshme”, specifikohet në dokument. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat