Detaje nga sulmi me granatë te shtëpia e kryesuesit të Bordit të "Trepçës"

Lajme

Detaje nga sulmi me granatë te shtëpia e kryesuesit të Bordit të "Trepçës"

Më: 31 gusht 2023 Në ora: 15:08
Foto nga vendi i ngjarjes

Një granatë dore është hedhur sot (e enjte) në orët e para të mëngjesit në oborrin e shtëpisë së kryesuesit të Bordit të kompanisë publike “Trepça”, Bahri Hyseni. Nga ky shpërthim janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Hyseni është i shokuar nga ky sulm, pasi që thekson se nuk ka ndonjë problem me askënd.

Sipas tij, ky akt, të cilin e quajti tinëzar, mund të jetë si rrjedhojë e angazhimit të tij në pozitën e kryesuesit të Bordit të “Trepçës”.

“Ne jemi të shqetësuar për faktin se unë personalisht nuk kam asnjë problem me askënd, dhe kujtoj se ushtroj me integritet secilën detyrë që kam, sepse kjo mund të rrjedhë nga angazhimet tona që kemi, por ne vazhdojmë punën tonë. Kjo është e papritur, ka ndodhur në befasi, është tinëzare, nuk është burrërore aspak… Nuk ka pasur asnjë kërcënim, nga ka ardhur nuk e di, të shohim’, ka thënë Hyseni.

Në anën tjetër, Hilmi Prekazi, zëdhënës i policisë për rajonin e Mitrovicës së Jugut, theksoi se si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar dy automjete dhe një pjesë e shtëpisë.

Prekazi shtoi se deri tani nuk ka të arrestuar dhe rasti është iniciuar si ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

“Rreth orës 07:43 minuta një ankues ka njoftuar policinë se dy automjete pronë e tij janë të dëmtuara. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka vërejtur se përveç automjeteve, edhe një pjesë e shtëpisë ishte dëmtuar… Dyshohet se kemi të bëjmë me një mjet shpërthyes. Është njoftuar prokurori i rastit dhe është iniciuar rasti ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ndërsa hetimet vazhdojnë në drejtim të kësaj vepre penale”, theksoi Prekazi.

Për këtë shpërthim, ka reaguar edhe ndërmarrja “Trepça” duke theksuar se nga ky sulm shpërthim ka dëme të konsiderueshme materiale.

“Ndërmarrja Trepça Sh.a njofton se mbrëmë gjatë mesnatës u sulmua me granatë dore Kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës të Ndërmarrjes Trepça Sh.A Bahri Hyseni. Për këtë incident është njoftuar Policia e Kosovës që janë duke u marrë me rastin. Nga ky shpërthim ka dëme të konsiderueshme materiale”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat