Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, paralajmëron protesta nëse ulet dënimi ndaj Krivaqës

Lajme

Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, paralajmëron protesta nëse ulet dënimi ndaj Krivaqës

Më: 4 gusht 2023 Në ora: 19:01
Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës

Besarta Breznica nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, ka thënë se që nga fillimi e kanë përcjellë rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.

Ajo ka thënë se dënimi me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës është i merituar, por jo edhe ai ndaj Arber Sejdiut që u dënua më 15 vjet.

Sipas saj, Sejdiu do të duhej të dënohej së paku më 25 vjet, ose edhe me burgim të përjetshëm.

“Gjatë shqyrtimit të Gjykatës është larguar aktakuza për dhunim seksual. Përveç kësaj Arbër Sejdiu ka qenë i akuzuar edhe si bashkëfajtor në vrasje. Ne po presim që Gjykata ta publikojë vendimin në mënyrë që të analizojmë se si ka ardhur në përfundim që Sejdiu është dënuar më 15 vjet”, ka thënë ajo.

Sipas saj, dosja e Prokurorisë ka qenë e bollshme dhe ka pasur prova të mjaftueshme.

Ka shtuar se Forenzika është dashur të bëjë kujdes në ekspertizën e trupit të Marigona Osmanit për të vërtetuar nëse ka pas dhunim seksual.

Breznica ka thënë se rasti i Dardan Krivaqës dhe Dardan Sejdiut është ndër rastet e rralla që është trajtuar në mënyrë të duhur.

“RrGK-ja do të monitorojë rastin e Krivaqës dhe Sejdiut. Nëse do të ulet dënimi do të ketë reagime dhe protesta”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se zinxhiri institucional duhet të funksionojë në mënyrë të duhur.

Ka shtuar se RrGK-ja është dëshmitare që burrat për dhunë në familje janë dënuar me 50 euro gjobë.

“Vendimet dhe aktakuzat e tilla dërgojnë në dekurajim të viktimave që ta raportojnë dhunën. Nëse flasim për 10 vjetet e fundit ka përmirësim të punës së institucioneve. Puna e RrGK-së na ka dëshmuar se institucionet nuk e respektojnë legjislacionin”, ka shtuar ajo.

Ajo ka thënë se viktimat që kthehen sërish në familjen ku është ushtruar dhunë ndaj tyre, përjetojnë dhunë sistematike.

Ka deklaruar se përkundër ankesave, ende nuk ka ndonjë vendim final që ndonjë zyrtar është larguar për neglizhencë të rastit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat