Situata mund të dalë sërish jashtë kontrollit në Ballkan, BE po e çon Kosovën dhe Serbinë drejt një tragjedie

Lajme

Situata mund të dalë sërish jashtë kontrollit në Ballkan, BE po e çon Kosovën dhe Serbinë drejt një tragjedie

Më: 22 korrik 2023 Në ora: 10:52
Aleksandar Vuçiq dhe Jens Stoltenberg

Situata e tensionuar, në prag të një konflikti të hapur, që rrezikon të çojë në tragjedi në përmasa më të gjera, në veri të Kosovës, shkaktoi një sërë takimesh mes liderëve të Serbisë dhe Kosovës me zyrtarët më të lartë evropianë dhe amerikanë, por pothuajse pa rezultate që çojnë në de-përshkallëzimin. Kështu shkruan gazeta serbe “Danas”, e cila thekson se nuk është aspak inkurajuese deklarata e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, pas takimit të fundit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dy ditë më parë, se “gjërat po dalin jashtë kontrollit”, edhe pse “Brukseli kërkon depërshkallëzim”. Bashkëbiseduesit e mirëpresin gatishmërinë e Vuçiçit për t'u takuar me përfaqësuesit e NATO-s, sepse, pajtohen që kjo mund të ketë vetëm efekte pozitive.

Takimi Vuçiç-Stoltenberg

Kështu, Nikola Luniç, drejtor ekzekutiv i Këshillit për Politika Strategjike, thotë se çdo përshkallëzim i tensioneve dhe konflikt i mundshëm, mund të ketë pasoja të pakuptueshme në kontekstin e paqëndrueshmërisë globale dhe rëndësisë aktuale gjeopolitike të rajonit.

Qëllimi i takimit që zgjati deri në orët e vona të së mërkurës, ishte diskutimi i shumë çështjeve për uljen e tensioneve në veri të Kosovës si dhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk kishte aspak përparim.“Beogradi duhet t'i qaset problemit të sigurisë me Prishtinën në mënyrë realiste dhe të arsyetuar, pa emocione dhe keqkuptime të panevojshme, veçanërisht ato për marrëdhëniet vëllazërore", mendojnë bashkëbiseduesit e “Danas”.

Siç pohon Luniç, është i qartë synimi i liderëve politikë të Prishtinës për të kapitalizuar mbështetjen e politikës së jashtme të vendeve të fuqishme përmes përshkallëzimit të konfliktit dhe shpresa se Perëndimi do të angazhohet edhe një herë në anën e tyre. Siç përfundon Luniç, “pa angazhimin e aleancave dhe ndërtimin e detyrimeve të ngushta kontraktuale me vendet e rajonit, duhet t'i frikësohemi historisë së papërfunduar të Ballkanit dhe skenarëve apokaliptikë globalë”.

Roli i NATO-s

Suzana Grubjeshiç nga Qendra për Politikë të Jashtme thotë se tema kryesore e takimit Vuçiç-Stoltenberg ka qenë situata në veri të Kosovës dhe përpjekjet që duhet të bëjnë të gjitha palët në mënyrë që të deeskalohet dhe të kthehet në normalitet. “KFOR-i, gjegjësisht NATO-ja, ka një rol kyç në sigurimin e paqes dhe stabilitetit, dhe pas tensioneve të fundit dhe mjaft konflikteve serioze, ky rol është edhe më i rëndësishëm”, thekson ajo.

Siç shton Grubjeshiç, Kosova nuk është vetëm problem politik, por edhe problem i madh i sigurisë. “Prandaj, në konkluzionet e samitit të mbajtur së fundmi në Vilnius, NATO-ja i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të deeskalojnë tensionet, të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të gjejnë një zgjidhje të përhershme në marrëdhëniet mes dy palëve. Ndërmjetësuesit evropianë dhe amerikanë po punojnë intensivisht për këtë, por gjithçka ende sillet rreth formimit të Asociacionit”, thotë ajo, duke shtuar se pika 77 e konkluzioneve flet edhe për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet NATO-s dhe Serbisë, si dhe me gjithë rajonin. “Nuk ka dyshim se kjo është edhe në interes të Serbisë, pavarësisht nga politika e shpallur e neutralitetit ushtarak”, përfundon Suzana Grubjeshiç.

Bisedimet në Bruksel

Sakaq, pa asnjë rezultat, përfunduan edhe takimet e kryenegociatorëve e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.  Të dyja palët, duket se janë kthyer “duarbosh” nga Brukseli, ku bisedimet përfunduan pa takim të drejtpërdrejtë mes dy delegacioneve. Edhe pse burimet e Bashkimit Evropian u shprehën se qëllimi i takimit ishte që delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të takoheshin veçmas, një takim trilateral nuk ka ndodhur. Pas takimit, BesnikBislimi u shpreh se kishte qenë Lajçak, ai që kishte vendosur që të mos kishte takim trepalësh.Megjithatë, sipas tij, pala e Kosovës ka qenë e interesuar në një takim mes tre zyrtarëve, siç raportoi Radio Evropa e Lirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat