Rasti 'Toka 2', dëshmitari thotë se një pjesë të parcelës e kishte blerë 100 mijë euro nga i akuzuari, Mehmet Prishtina

Lajme

Rasti 'Toka 2', dëshmitari thotë se një pjesë të parcelës e kishte blerë 100 mijë euro nga i akuzuari, Mehmet Prishtina

Më: 19 korrik 2023 Në ora: 21:40
Foto nga vendi i ngjarjes

Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari Valmir Abazi ka thënë se një pjesë të parcelës e kishte blerë nga i akuzuari Mehmet Prishtina, në shumën prej 100 mijë euro.

Në këtë rast, të akuzuarit Mehmet Prishtina, Nexharije Hoti, Dukagjin Emërllahu dhe Avni Maxhuni, po akuzohen për “Krim të organizuar”, “Nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore”, “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Shpëlarje e parasë” dhe vepra të tjera.

Kurse, ndaj të akuzuarve Reshat Fetahu dhe Gani Ademi, ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale ndaj tyre për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Paraprakisht, dëshmitari ka thënë se gjatë vitit 2011 kishin blerë si familje disa parcela në Çagllavicë, pasi që i kishin parë në internet që janë në shitje.

Tutje, dëshmitari Abazi ka thënë se kishte biseduar me të akuzuarin Prishtina përmes telefonit dhe më pas e kishin caktuar takimin për t’i parë parcelat. Parcela i kishin pëlqyer dhe kishin arritur marrëveshje për ti blerë.

Ai ka sqaruar se shumica e parcelave ishin në një vend, ndërsa 4 të tjera në një vend tjetër, e këto të fundit me vendim të gjykatës ishin bllokuar, e as sot nuk ka njohuri nëse janë zhbllokuar.

Çmimi total i parcelave dëshmitari ka thanë se nuk i kujtohet, por për 4 parcelat si dhe për një tokë tjetër kishte paguar shumën prej 100 mijë euro, të cilën pagesë e kishte kryer përmes bankës në xhirollogari të akuzuarit Mehmet Prishtinës.

Para se me i ble këto parcela, dëshmitari ka thënë se ishin në komunë për të bërë verifikimin e tyre dhe ju ishte thënë se nuk ka asnjë problem rreth këtyre pronave dhe çdo gjë është në rregull.

Gjithashtu në këtë seancë janë dëgjuar edhe dëshmitarët Minire Hajdini, Besa Krasniqi dhe Mirsad Jetullahu.

Dëshmitarja Hajdini ka thënë se nga viti 2009 deri në mars të 2013, kishte punuar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ajo ka thënë se e ka njohur ish-zyrtaren e AKP-së, Serpil Aliu, me të cilën kishte pasur raport kolegiale.

E njëjta ka thënë se kishte dëgjuar se znj. Aliu kishte keqpërdorur punën zyrtare dhe për këtë ishte zhvilluar procedurë disiplinore në kuadër të AKP-së, dhe më pas për këtë rast kishte dëgjuar në mediat, por që znj. Aliu sipas saj, ia kishte mohuar që kishte të bënte me këtë çështje.

Dëshmitarja Hajdini ka thënë se qëndron prapa deklaratës së dhënë më parë për këtë çështje penale, edhe pse në detaje nuk i kujtohej e njëjta.

Ndërkaq, dëshmitarja Krasniqi ka deklaruar se kishte punuar në ish-Gjykatën Komunale të Prishtinës, ndërsa tash punon në Gjykatën Themelore në pozitën e referentes.

Lidhur me atë se a kishte qenë ndonjëherë i akuzuari Emërrlahu në zyrën e saj, dëshmitarja Krasniqi ka thënë se nuk i kujtohet, por që nga viti 2010-2011, punët me palë i kryejnë në sportele.

Kurse, dëshmitari Jetullahu në dëshminë e tij ndër të tjera tha se ishte menaxher i firmës “ABC”, e që kjo firmë kishte punuar në rregullimin e infrastrukturës për kompaninë “New Residente Prishtina”, andaj nga i akuzuar Prishtina për punën e tyre ishin kompensuar me parcela.

Sipas tij, ishte kompensuar me 8 parcela të cilat ishin përafërsisht me sipërfaqe rreth 4 ari dhe shumicën e të cilave e kishte shitur.

Në fund i njëjti tha se me të akuzuarin Prishtina ishin ndarë mirë dhe nuk i kishin mbetur borxh njëri-tjetrit.

Pas dëgjimit të këtyre dëshmitarëve, mbrojtësi i të akuzuarit Prishtina, avokati Skender Musa, i ka kërkuar gjykatës që t’i kthehet të mbrojturit të tij, vlera e dorëzanin në shumën prej 50 mijë euro, pasi që kanë ndryshuar të gjithat rrethanat për çka ishte caktuar e njëjta.

Avokati Musa kërkoi nga gjykata edhe që në bazë të nenit 119 par 5 të largoi nga lista dëshmitarët-bashkëpandehurit, me arsyetimin se kjo dispozitë shprehimisht e thotë se deklaratat e të bashkëpandehurve nuk mund të shfrytëzohen si prova kundër të bashkëpandehurve tjerë.

Ndërsa, kërkesa e tretë e tij, drejtuar gjykatës ishte në lidhje me një parashtresë që kolegët kishin dorëzuar para 6 muajve, lidhur me vlerësimin e krimit të organizuar dhe veprave të parashkruar deri në këtë fazë të procedurës.

Andaj, avokati Musa kërkoi nga trupi gjykues që jashtë seance të vendosin për veprat e parashkruara sipas Kodit Përkohshëm Penal të Kosovës, që ka qenë fuqi kohën kur pretendohet se janë kryer veprat penale.

Gjithashtu, avokati Musa kërkoi që të hiqen nga lista dëshmitarët, të cilët nuk kanë të bëjnë me këta 4 të akuzuarit, duke shtuar se kjo pa asnjë dyshim i ndihmon procedurës, për faktin se kjo çështje zvarritet, e që pa fajin e trupit gjykues dhe prokurores që përfaqëson është zvarritur më shumë se 10 vite.

Kurse, mbrojtësja e të akuzuarës Nexharije Hoti, avokatja Sadije Mjekiqi ka thënë se ka ngritur çështjen për parashkrim absolut për të mbrojturën e saj, mirëpo sipas saj për një gjë të tillë gjykata nuk ka vendosur ende.

Ndërkaq, prokurorja speciale Merita Bina-Rugova ka thënë se dorëzania është masë e sigurisë e cila shqiptohet vetëm në rastet kur gjykata do ta parandaloj arratisjen e të akuzuarit dhe konsiderojnë se do të ishte absurde të hiqet kjo masë kur ende nuk e dihet se si do të përfundoj procedura.

Kurse prokurorja Bina-Rugova për dëshmitarët e përmendur si bashkëpandehur, ka thënë se nuk qëndron me arsyetimin se të gjithë personat që janë të përmendur në aktakuzë, si dëshmitarë nuk janë të bashkëpandehur, disa prej tyre janë persona që në një fazë të hetimeve kanë qenë të hetuar mirëpo procedura kundër tyre ka pushuar.

Kurse, sa i përket vërejtjeve për parashkrim prokurorja Bina-Rugova ka thënë se nuk do të përsërisë argumentet pse nuk qëndrojnë këto vërejtje, andaj e njëjta kërkoj nga gjykata të mos lejoj zvarritjen e procedurës pa nevojë që vazhdimisht të potencohet kjo çështje.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vese Ismaili ka thënë se për këto propozime do të vendoset jashtë seancës.

Seancat e radhës për këtë çështje penale u caktuan për datat 18 dhe 20 tetor 2023.

Ndryshe, ky rast fillimisht ishte gjykuar nga gjykatësi i krimeve të rënda, Beqir Kalludra, mirëpo me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit, lënda nga 3 shkurti 2021 kishte kaluar tek gjykatësi Kushtrim Shyti, i cili nuk ka mbajtur asnjë seancë në këtë rast.

Kurse, më 11 tetor 2021, kjo lëndë ka kaluar në Departamentin Special tek gjykatësja Shadije Gërguri, sipas vendimit të marrë nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë për ngarkimin e këtij departamenti edhe me lëndë të Krimeve të Rënda.

Ndërsa, gjykatësja Gërguri, menjëherë pas pranimit të shkresave të lëndës dhe shqyrtimit të tyre, duke vepruar sipas detyrës zyrtare më 8 nëntor 2021 ka marrë aktvendim për hudhje të aktakuzës dhe pushim të procedurës penale ndaj të akuzuarve Fetahu dhe Ademi, për shkak se në gusht të këtij viti kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndërkaq, pasi që gjykatësja Gërguri gjendet në pushim mjekësor, kjo lëndë ka kaluar tek gjykatësi Vesel Ismaili.

Ndryshe, në këtë rast fillimisht të akuzuar kishin qenë 24 persona, por Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator të vitit 2018, kishte hudhur poshtë aktakuzën për 17 nga ta.

Të gjithë të pandehurit, po akuzoheshin për blerjen e 36 hektarë tokë të Komunës së Prishtinës dhe Graçanicës, të privatizuara me çmime shumë më të ulëta, se sa çmimi real i tregut.

Duke vendosur lidhur me kundërshtimet e mbrojtjes së të akuzuarve, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, kishte hudhur aktakuzën ndaj të akuzuarve për shpëlarje të parave, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Albion Mulaku, Lirim Zeka, Agim Jerlia, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani dhe Shaip Krasniqi.

Ndërsa, ai kishte aprovuar pjesën e aktakuzës ndaj të akuzuarve tjerë në këtë rast, Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Gani Ademi, Avni Maxhuni dhe tani të ndjerës, Sh.M.

Gjykata e Apelit më 29 tetor 2018 kishte vërtetuar aktvendimin e themelores sa i përket të akuzuarve për shpëlarje parash, si dhe të akuzuarve, Prishtina, Emërllahu, Maxhuni dhe Sh.M.

Kurse, ajo kishte kthyer në rivendosje lëndën sa i përket të akuzuarve Ademi, Hoti dhe Fetahu.

Pas kthimit të rastit në rivendosje, në shqyrtimin e dytë prokurorja speciale, Merita Bina-Rugova, kishte bërë ricilësimin e veprës penale ndaj të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në shpërdorimit të pozitës zyrtare nga neni 339, paragrafi 3 i Kodit të Përkohshëm Penal.

Mirëpo, gjykata e shkallës së parë, më 29 maj 2019 sërish i ka refuzuar si të pabazuara kundërshtimet e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve Hoti, Fetahu dhe Ademi.

Ky vendim i Themelores, më 27 qershor ishte vërtetuar edhe nga Apeli duke i refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

Gjithashtu, Apeli kishte pranuar pretendimet e shkallës së parë se tre të akuzuarit duhet të akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të KPRK-së pasi që ishte më i favorshëm, dhe jo si “Shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit” nga neni 339 par.3 të ish-KPK-së, ashtu siç e kishte ricilësuar prokuroria.

Kjo aktakuzë ishte ngritur më 3 mars të vitit 2017, nga prokurori i EULEX-it, Danilo Ciccarelli, ndërsa më pas kjo lëndë i ishte bartur prokurorit vendas nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu e Nexharije Hoti e Avni Maxhuni, akuzohen për veprën penale “krim i organizuar”. Ata akuzohen se nga fillimi i vitit 2009 e deri në tetor të vitit 2014, në territorin e Kosovës, më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar.

Prokuroria pretendon se Mehmet Prishtina ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe menaxher i aktiviteteve të grupit kriminal të organizuar të përbërë nga Prishtina, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Hoti e Maxhuni, sipas prokurorisë, dyshohet se i kanë menaxhuar aktivitetet kriminale të këtij grupi duke u dhënë udhëzime pjesëtarëve tjerë të këtij grupi.

Ata akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, ndërsa bashkë me Emërllahun akuzohen edhe për veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore të paligjshme”, “ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”,  “grabitja” dhe “shpëlarja e parave në vazhdimësi”.

Hoti akuzohet për krim të organizuar të ndërlidhur me veprat penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi.

Nexharije Hoti akuzohet se si gjyqtare e Gjykatës Komunale të Prishtinës, e caktuar në çështjen civile nr.724/2009, për të drejtat pronësore mbi ngastrat shoqërore, ka gjykuar lëndën në dobi të Dukagjin Emërllahut, i cili ka bashkëpunuar me Mehmet Prishtinën dhe me dashje që t’i shkaktojë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, ka nxjerrë vendim të paligjshëm me të cilin ka aprovuar padinë e Emërllahut për të drejtat pronësore të mbi 45 ngastrave me një sipërfaqe prej 36.45 hektarë, që kanë qenë në posedim të të paditurave KBI “Kosova Export”, dhe zyra rajonale e Asgjësisë Kosovare të Privatizimit.

Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi, akuzoheshin edhe Reshat Fetahu, Gani Ademi, për veprën penale “shpëlarja e parave në vazhdimësi”, akuzoheshin Avni Maxhuni, Sh.M, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Bislim Bajrami, Albion Mulaku, Gëzim Rama, Agim Jerlija.

Për “Shpëlarje të parave”, akuzoheshin Basri Beka, Bajram Gashani, Arton Vila, Bejtullah Zhugolli, Dalip Brahimi, Dalip Brahimi, Lirim Zeka dhe Shaqip Krasniqi.

Ndryshe, lidhur me këtë rast në vitin 2016 është mbajtur mundësia hetuese e veçantë, ndaj gjithsej 51 të dyshuarve lidhur me këto dallavere, ndër ta edhe ndaj ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla.

Pas këtij hetimi, prokurori i EULEX-it, kishte ngritur dy aktakuza, njëra e njohur tani si rasti “Toka”, në të cilën akuzohet Azem Syla dhe të tjerët, kurse në tjetrën akuzoheshin 24 persona, që njihej si rasti “Toka 2”, raporton betimiperdrejtesi.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat