Vuçiq i quan ‘gënjeshtarë’ Uashingtonin, Brukselin dhe Berlinin: Në çdo rast janë në anën e fëmijës së tyre, Kosovës

Lajme

Vuçiq i quan ‘gënjeshtarë’ Uashingtonin, Brukselin dhe Berlinin: Në çdo rast janë në anën e fëmijës së tyre, Kosovës

Më: 2 korrik 2023 Në ora: 12:27
Aleksandar Vuçiq

“Terrori do të jetë ditë e më i madh”, ka thënë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë në median kryekëput propagadinstike dhe të afërt me të TV Prva, duke folur për tensionet tashmë një mujore në komunat veriore të Kosovës. Për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Vuçiq thotë se “ai njeri nuk është në vete” teksa thotë se ka frikë nga “një luftë e mundshme” të cilën “do të bëj më të mirën për ta parandaluar”.

Në këtë intervistë Vuçiq është marrë gjerësisht me personin e Albin Kurti duke i dhënë lloj-lloj cilësimesh si “njeri pa nder”, “njeri që s’është në vete”, “dëshiron të jetë Enver Hoxha”, “dëshiron të jetë Zelensky”, etj.

“Kam frikë se terrori do të jetë edhe më i madh. Sepse ai ka paramenduar veten në rolin e Zelensky-irt, liderit të Shqipërisë së Madhe, i cili do t’i bashkojë trojet shqiptare dhe ta bëjë këtë punën e madhe”, ka thënë Aleksandar Vuçiq.

Duke folur për vendimin e fundit të shpalljes së dy organizata terroriste – Brigada Veriu dhe Mbrojtja Civile – Vuçiq thotë se “po të shpallte Serbia FSK-në dhe Njësitë Speciale të Kosovës si terroriste do të sanksionoheshim menjëherë” ndërsa i quan edhe “terroriste”.

“Ju lutem më tregoni se sipas cilit akt ndërkombëtar ekzistojnë atë, pasi që NATO thotë se është e bazuar në Rezolutën 12/44. Me çfarë akti Turqia po i armatos ato? Me çfarë akti ekzistojnë?”, është shprehur i mllefosur ai.

“Por aq u bën. Ju e dini se çfarë thonë gjermanët e amerikanët – ‘epo, sipas të drejtës sonë, të drejtës së më të fortit, ju Serbia jeni të vegjël për ta pretenduar atë të drejtë’. Këtë na e thonë. Por, çfarë të më thonë tjetër kur s’e gjejnë të shkruar askund”, ka thënë ai mes tjerash.

Vuçiq ndalet te Uashingtoni dhe Berlini për ekzistencën e forcave të rendit, ligjit dhe të sigurisë kosovare. “Nuk është askund e shkruar, por jemi të fortë edhe e bëjmë”, vazhdoi t’i bjerë borisë së propagandës ai.

Presidenti i Serbisë thotë gjithashtu se i frikësohet “një lufteje të mundshme” derisa shton se do të bëjë “më të mirën” e tij për ta shmangut atë. “Jam i frikësuar nga lëvizjet krejtësisht irracionale dhe anti-serbe të Kurtit por edhe me qëndrimet e paarsyeshme të vendeve perëndimore...të cilët gjithmonë do të gjejnë atë tregimin: të dyja palët”.

“Sepse çfarëdo që ndodh, atë do të jenë në anën e fëmiut të tyre”.

Pyetur se a ka dërguar njerëz për të sulmuar KFOR-in në Kosovë, Vuçiq e mohon “kategorikisht” se ka bërë një gjë të tillë.

“Asnjë person të vetëm nuk e kam dërguar, janë të gjithë serbë nga Kosova”, thotë ai, ndonëse ishte vetë ish-presidenti serb, Boris Tadiq, ai cili kishte identifikuar disa nga protestuesit e dhunshëm që kishin lënduar mbi 30 pjesëtarë të KFOR-it, si njerëz nga Beogradi, të afërm me SNS-në por edhe pjesëtarë të formacioneve të dhunshme të mbarënjohura në Serbi.

"Unë ju pyes të gjithë ju gënjeshtarë nga Uashingtoni, Brukseli, Berlini - pse u arrestua D.O dhe mos gënjeni se ka ndonjë arsye për të ndjekur diçka. Sepse nuk ka arsye", tha Vuçiq, duke shtuar se ushtarët e KFOR-it e tërhoqën zvarrë derisa ishte ulur në asfalt bashkë me serbët e tjerë më 29 maj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat