Orbani-Vuçiqit: Dëgjo porosinë e Hungarisë, lironi tre policët e Kosovës

Lajme

Orbani-Vuçiqit: Dëgjo porosinë e Hungarisë, lironi tre policët e Kosovës

Më: 20 qershor 2023 Në ora: 14:24
Presidenti hungarez Katalin Novak dhe kryeministri Viktor Orban

Presidenti hungarez Katalin Novak dhe kryeministri Viktor Orban si dhe anëtarë të tjerë të qeverisë hungazere sot kanë shkuar në Serbi, ku do të mbahet mbledhja e Këshillit Strategjik për Bashkëpunim ndërmjet këtyre dy vendeve.

Në Beograd, Orban foli edhe për tre policët e Kosovës që i rrëmbeu Serbia. Ai i tha presidentit serb që të dëgjojë këshillën e Hungarisë dhe t’i lirojë ata “për të mirën e Serbisë”.

“Për tre policë të Kosovës, ju lutem i dashur Aleksandër, mendojeni, armiqtë mezi presin ta dëmtojnë Serbinë, është një rast i tillë në të cilin mendoj se do të ishte mirë të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë dhe t’i ktheni ata tre shqiptarë në Kosovë. Mendoj se do t’ju ndihmonte për të çuar përpara kauzën tuaj. Prandaj, po ju kërkoj të mendoni për këtë”, tha Orban.

Ndërkaq, Vuçiq lavdëroi raportet e Serbisë me Hungarinë.

“Partneriteti strategjik, mirëkuptimi, respekti reciprok, afërsia dhe miqësia ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë do të rikonfirmohet dhe konkretizohet sot me marrëveshje dhe projekte të reja, në të mirë të të gjithë qytetarëve tanë”, kështu e ka përshkruar këtë ngjarje presidenti serb në Instagram, duke shtuar se po “shkruajmë një faqe të re historike në marrëdhëniet mes dy vendeve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat