Vjehërria ia marrin nuses pasaportën me vizë gjermane dhe kthehen në Gjermani: E lëshume je!

Lajme

Vjehërria ia marrin nuses pasaportën me vizë gjermane dhe kthehen në Gjermani: E lëshume je!

Më: 15 maj 2023 Në ora: 08:00
Ilustrim

Zënkat e familjes së burrit me nusen dhe anasjelltas janë mjaft të shpeshta në familjet kosovare. Konfliktet verbale mes tyre eskalojnë edhe në dhunë fizike e psikike, për çka duhet intervenimi i Policisë.

Një rast i tillë është raportuar të dielën dhe që dyshohet të ketë ndodhur në fshatin Maxharrë të Malishevës.

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se në një konflikt të tillë janë përfshirë një grua dhe vjehërria e saj, të cilët po dyshohen se i kanë shkaktuar dhunë psikike dhe ia kanë pamundësuar për t’u kthyer në Gjermani ku edhe jetojnë.

Dy të dyshuarit fillimisht e kishin dërguar gruan e djalit te familja e saj pasi gjoja se kanë marrë vendim “ta lëshojnë” dhe gjatë kësaj periudhe ia kanë marrë dokumentet e saj dhe të fëmijëve. Gjithë këtij rasti i ka paraprirë dhuna që ka përjetuar viktima edhe nga bashkëshorti i saj, që kulmoi me rastin e fundit.

Në bazë të dëshmisë së viktimës të dhënë para hetuesve policorë, vjehërria e saj ia kanë marrë pasaportën, dokumentin e leje qëndrimit dhe më pas dyshon se janë nisur për në Gjermani.

Kështu, viktima nuk ka pasur mundësi të udhëtojë për në shtetin gjerman, çka e ka shtyrë atë që të kërkojë ndihmën e Policisë.

Si rezultat i denoncimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “Dhunë në familje”, teksa veprimet tjera do të merren pasi të sigurohet prezenca e të dyshuarit kryesor, i cili është futur në listën e personave të kërkuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat