Bislimi: Mëkati i Nagip Kasniqit është se ia solli KEK-ut 107 milionë euro profit, për këtë u arrestua

Lajme

Bislimi: Mëkati i Nagip Kasniqit është se ia solli KEK-ut 107 milionë euro profit, për këtë u arrestua

Më: 10 maj 2023 Në ora: 09:53
Nagip Kasniqi

Qeveria vazhdon të jetë e indinjuar nga arrestimi i kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se ai u arrestua vetëm për shkak se i solli KEK-ut 107 milionë euro profit.

“Ne mendojmë që ka shumë korrupsion në KEK”, tha Bislimi gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Integrime, duke shtuar se rastet korruptive menaxhmenti aktual “i ka deponuar në Prokurori”.

“Por ja që s’ka interes politik të një institucioni që unë do të thoja është politik, siç është Prokuroria që të merret me këto raste. Por, ka interes të merret vetëm me rastin e menaxherit i cili nga një kompani që ka punuar me humbje, e ka sjellë kompaninë me 107 milionë euro profit. Ky ka qenë mëkati i Nagip Krasniqit për të cilin është dashur të arrestohet”, tha Bislimi.

“Si ka mundësi që një kompani publike të gjenerojë 107 milionë euro dhe asnjë nga këta të mos përfundojë në xhepat e politikanëve. Ky është problem i madh, andaj duhet të arrestohet që të vijë dikush tjetër pas tij i cili e ndryshon mënyrën e menaxhimit”, shtoi zëvendëskryeministri.

Ai tha se paratë e fituara nga KEK-u do të shkonin në buxhetin e shtetit, dhe jo “në jahta luksoze të politikanëve”. Kjo, sipas tij, është arsyeja e arrestimit të Krasniqit.

Nagip Krasniqi është arrestuar më 19 prill me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës, ushtrimit të ndikimit dhe konflikit të interesit. Një njësi e veçantë e hetimeve ia ka bastisur atij zyrën dhe dy banesa në Prishtinë.

Gjykata e Apelit së fundmi e refuzoi ankesën e avokatit të kryeshefit të pezulluar të KEK-ut, duke vendosur ta lë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për ta mbajtur atë në paraburgim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat