MASHTI: Fëmijët po shkojnë në shkollë me shprehi të përdorimit të telefonit

Lajme

MASHTI: Fëmijët po shkojnë në shkollë me shprehi të përdorimit të telefonit

Më: 5 maj 2023 Në ora: 08:33
Femijet

Merita Jonuzi nga Ministria e Arsimit deklaroi se ky institucion ka hartuar një udhëzim administrativ për qëllim të mbrojtjes së fëmijëve për qasjen në internet.

Ajo deklaroi se në këtë sfidë me rreziqet online duhet të jenë së bashku prindërit, mësimdhënësit dhe institucionet, në mënyrë që fëmijët të jenë të edukuar si duhet për përdorim pozitiv të internetit.

Sipas Jonuzit, MASHTI ka bashkëvepruar edhe me partnerë të jashtëm për edukimin e fëmijëve, por siç tha ajo, fëmijët shkojnë në shkollë me një shprehi të përdorimit të telefonit nga shtëpia.

“Bashkëveprojmë me shumë partnerë sepse o sot o kurrë duhet t’i sforcojmë radhët tona që të jemi brenda përkushtimit të të gjithëve që fëmijët tanë t’i mbrojmë nga rreziqet e shumta që i kemi. Nga ana tjetër ka edhe aktiviteteve trajnuese dhe promovuese, ndërgjegjësuese, jo vetëm të MASHTI-t, por edhe të partnerëve”, tha ajo.

Jonuzi theksoi se janë mbajtur diskutime të shumta me shumë akterë për ketë çështje, e sipas saj, rreziqet në internet janë enorme.

“…Fëmijët e sotëm janë të ekspozuar në rreziqe të mëdha edhe e e përdorin në mënyrë enorme dhe në shkollë shkojnë me një kulturë të përdorimit të telefonit, që kjo rrethanë po sfidon edhe shkollën dhe të gjithë të tjerët”, tha ajo.

Psikiatrja Mimoza Shahini ka komentuar edhe ndërlidhjen e edukatës së fëmijëve për internet me qasjen e tyre në shkolla. Sipas saj, shkolla nuk është fajtore për sjelljet e fëmijëve në internet.

“Vajzat adoleshente në lidhje romantike obligohen për foto, kërcënohen ‘nëse s’çon foto prishemi’. Sidomos në pubertet kur pjekuria për ta kuptuar marrëdhënien romantike është në fillesa dhe për ta ruajtur marrëdhënien bëjnë postime e shumë nga djemtë i përdorin fotot për t’i shantazhuar. Mos të them vetëm djemtë sepse ka edhe nga ana e vajzave. Në shkollë, ka nxënës që bëjnë video të qëllimshme për t’i degraduar figurën e mësimdhënësit. Sa herë që postohet një video nga nxënësit që nxjerrin mësuesin nga kontrolli atë muaj ka rritje të nivelit të dhunës nëpër klasa që të imitohet ajo video dhe të plasohen sa më shumë video ku mësimdhënësit janë të paedukuar e bëjnë veprime jo të duhura”, ka thënë ajo.

Sipas saj, TikToku te të rinjtë ka audiencë më të madhe sepse “ka të përfshira sfida dhe të rinjtë i duan”. Ka thënë se dy fëmijë shqiptarë kanë vdekur duke bërë “sfida” në rrjete sociale.

Ajo ka thënë se prindërit duhet të edukohen vetë, sepse nuk janë model i duhur për fëmijët për qasjen e tyre në telefona.

“Prindërit duhet të edukohen. Gjithmonë kemi tendencën për t’ia vënë fajin shkollës, por fëmijët s’kanë model të mirë në shtëpi për telefonat. Kur unë u vë detyrë prindërve të vendosni një orë telefonat në një shportë, fëmijët marrin modelin që ka kohë për të folur me njëri-tjetrin. Shumë nga prindërit ankohen që një pjesë të punës e bëj në shtëpi”, ka thënë ajo duke shtuar se fëmijëve u kërkohet diçka që vetë prindërit s’janë në gjendje ta bëjnë.

Shahini ka mohuar se në shkolla nuk është bërë mjaftueshëm për edukimin për përdorim të teknologjisë.

Ndërsa, Labinot Salihu nga Këshilli i Prindërve të Kosovës, ka thënë se Ministria e Arsimit dhe Drejtoritë Komunale duhet ta ndryshojnë situatën.

“Nëse shkoni në shkolla, situata nuk ka ndryshuar, përkundrazi është duke u përkeqësuar. Sa i përket përdorimit të internetit dhe sigurisë në internet, situata në shkolla nuk ndryshon. Në shkolla në Komunë të Prishtinës është futur interneti pa asnjë masë të sigurisë. Kush merr përgjegjësi që një shkollë e madhe me tre mijë nxënës në komunë të Prishtinës ka internet të njëjtë si me atë të shtëpisë, pa kurrfarë kufizimi”, ka thënë ai.

“Shkolla nuk është mjedisi ku fëmija vetëm edukohet. Shkolla është mjedisi ku fëmija rritet. Ministria e Arsimit nuk është implementuese, është politikëbërëse. Pse ekziston Këshilli i Prindërve? Në mënyrë që të jenë aktivë në përmirësimin e jetës së fëmijëve të tyre. Nuk mund të presin vetëm nga mësimdhënësit e nga Ministria, duhet të jenë pjesë aktive. Këshilli i Prindërve është krijuar për të harmonizuar dhe për të mbështetur shkollën në krijimin e një dinamike të shëndoshë për fëmijët”, iu përgjigj Shahini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat