Mustafa: Kurti s`ka dashur të dëgjojë për letrën e Mogherinit, tani po pranon diçka shumë më të rëndë se ajo e 2015-s

Lajme

Mustafa: Kurti s`ka dashur të dëgjojë për letrën e Mogherinit, tani po pranon diçka shumë më të rëndë se ajo e 2015-s

Më: 3 maj 2023 Në ora: 13:49
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka treguar për kundërshtimin që kryeministri Albin Kurti kishte në vitin 2015 për letrën e ish-shefes se diplomacisë së BE-së, Frederica Mogherini, të cilën tani në Bruksel po e përdor si referencë.

Mustafa ka treguar se në vitin 2015 Kurti as nuk ka dashur të dëgjonte për letër.

Në një prononcim, Mustafa ka thënë se tani kryeministri Albin Kurti në dialogun me Serbinë po pranon një marrëveshje shumë më të dëmshme se ajo e vitit 2015.

“Dhe çdo ndryshim që bëhet me vonë në statutin e Asociacioni duhet t`i nënshtrohet prapë verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Kështu është në marrëveshjen e vitit 2015, por këta nuk kanë dashtë, e kanë pasur një kauzë krejtësisht politike dhe sot janë në një situatë krejt tjetër, që po pranojnë diçka shumë më e rëndë se sa ajo që ka qenë në vitin 2015”, ka thënë Mustafa.

Ai ka treguar se me insistimin e tij ka ardhur kjo letër, e cila jepte garancione se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

“Kurti e ka ditë këtë punë edhe përpara, sepse unë në vitin 2015 nuk kam pranuar të shkoj në Bruksel dhe të ta nënshkruaj marrëveshjen pa garancione të BE-së se asociacioni nuk do të këtë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë pushtet i tretë. Unë kam thënë se nëse ju nuk na garantoni me shkrim, atëherë unë nuk vij ta nënshkruaj marrëveshjen. Dhe një ditë para marrëveshjes Mogherni e ka dërguar shkresën me të cilën thotë se sipas pikëpamjeve tona, të BE-së, Asociacioni nuk do të këtë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë pushet i tretë dhe iu mirëpresim që të vini ta nënshkruani marrëveshjen”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, në atë kryeministri Kurti as nuk ka dashur të dëgjonte për ekzistimin e kësaj letre.

“Atëherë Kurti nuk ka dashur as të dëgjoj(letrën). Jo vetëm Kurti, po edhe disa të tjerë afër Kurti, ose nuk e kanë marrë parasysh atë piken e dytë të asaj marrëveshje, e cila thotë se marrëveshja se pari duhet të shkoj në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë Mustafa, duke treguar se pse e ka kërkua një garancion të tillë.

“Sepse edhe ne nuk kemi qenë të sigurt se çka po prodhojmë sepse nuk kemi pasur përvojë kushtetuese për një gjë të tillë. Sepse ky Asociacion nuk është ai që e kemi, është asociacion që e formon qeveria, jo që e formojnë qytetarët. Vetë faktin që e formon qeveria është një krijesë e re për të cilën ne nuk kemi pasur njohuri të sakta se çfarë do të del nga ajo dhe kemi se duhet t`i shkoj Gjykatës Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese thotë se është në harmoni me Kushtetutën, atëherë behet dhe nëse thotë jo, ajo nuk bëhet”, është shprehur Mustafa.

Çka thotë letra e Mogherini?

Letra e ish-shefes së diplomacisë evropiane Frederica Mogherin jepte garancinë që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

Ish-shefja e diplomacisë në letrën e saj tregonte se Asociaciono i komunave me Shumicë Serbe do të jetë në harmoni me Marrëveshjen e Parë dhe ligjet e Kosovës.

“Në kontekstin e diskutimit tonë për themelimin e Asociacioni/ Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, dua të konfirmoj se është kuptim i BE-së, se Asociaciono/Bashkësia - në harmoni me Marrëveshjen e Parë dhe ligjet e Kosovës - nuk do të konstituohet si nivel i tretë i qeverisjes dhe nuk do ketë fuqi ekzekutive. BE, në ushtrimin e rolit të tij si fascilitator i dialogut Prishtinë-Beograd do të vazhdojë të monitorojë respektimin dhe implementimin nga të dy palët të Marrëveshjes së Parë dhe marrëveshjeve të tjera të arritura në dialog”, thuhet në letrën e Mogherinit.

Këtë letër që dikur e kundërshtonte, tani kryeministri Albin Kurti po e përdor si referencë në procesin e dialogut me Serbinë për të kundështuar Asociacionin.

Të njëjtën gjë e ka bërë edhe mbrëmë. Pas takimit me presidentin e Serbisë në Bruksel, ai ka thënë se statuti duhet ta merr parasysh atë letër.

“Zbatimi i nenit 7 të Marrëveshjes Bazë, bashkë me nenin 10, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës(me vendimin shoqërues të Gjykatës Kushtetuese të datës 23 dhjetor 2015) me letrën Garantuese të ish-përfaqësueses së lartë Mogreni drejtuar kryeministrit të Kosovës(data 24 gusht 2015) dhe me qëndrimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (deklaratën e Cholet dhe Escobar-it, të datës 30 janar 2023)”, është thënë në propozimin e kryeministrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat