Deklarohen të pafajshëm dy infermierët në Gjakovë, dyshohet që për shkak të papërgjegjësisë shkaktuan vdekjen e pacientit me Covid-19

Lajme

Deklarohen të pafajshëm dy infermierët në Gjakovë, dyshohet që për shkak të papërgjegjësisë shkaktuan vdekjen e pacientit me Covid-19

Më: 6 prill 2023 Në ora: 12:24
Foto ilustrim

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Gjakovë, infermierja e Spitalit Rajonal në Gjakovë, Leonora Emra dhe ish-infermieri, Driton Tarafshiku, u deklaruan të pafajshëm se nuk i kanë zbatuar veprimet e përshtatshme mjekësore, ndaj pacientit të infektuar me COVID-19, ku me këtë rast i njëjti ka ndërruar jetë.

Deklarimin rreth fajësisë, dy të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Dëshirë Jusaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarës Emra, avokati Genc Juniku, tha se e mbështet mospranimin e fajësisë nga ana e të mbrujturës së tij dhe propozoi që aktakuza të hudhet poshtë.

“E mbështes mbrojtësen time, e cila nuk e pranoi fajësinë dhe shtoj se nuk ka elemente të veprës penale, të trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor. Propozoj që kjo akuzë të hudhet poshtë, pasi nuk është e argumentuar mirë”, tha Juniku.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuari Tafarshiku, avokati Nexhmedin Gashi, deklaroi se i mbrojturi i tij, me plot të drejtë nuk e ka pranuar fajësinë, pasi nuk ekzistojnë elementet e veprës penale.

“Duke pasur parasysh situatën me COVID-19, në Kosovë të gjithë stafi mjekësor bashkë me të mbrojturin tim, kanë bërë të pamundurën për t’iu dalë në ndihmë pacientëve me COVID-19”, tha ai.

Pas kësaj, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Meshari Selimaj, deklaroi se e mbështet aktakuzën e ngritur nga Prokuroria, duke iu bashkëngjitur ndjekjes penale.

Në fund, gjyqtari Ilir Rashkaj, njoftoi palët që në afat prej 30 ditëve, mund të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të përpiluar më 20 dhjetor 2022, Leonora Emra po akuzohet se më 15 korrik 2020, në cilësinë e punonjëses shëndetësore, në pozitën e kryeinfermieres në repartin e Pulmologjisë, pranë Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, ndaj pacientit I.Gj., të diagnostikuar me COVID-19, ka zbatuar metoda të papërshtatshme mjekësore, duke treguar pakujdesi në rregullat e kujdesit në profesion.

Në aktakuzë, thuhet se e njëjta nuk i ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për ta përcjellë pacientin I.Gj., për në Emergjencën e Spitalit për tek ekipi për shoqërim në QKUK-Prishtinë, ashtu që e pandehura, me moskujdesin e treguar nuk e ka përcjellë dhe bërë bartjen e pacientit, e për shkak të defekteve të shfaqura në ashensor, për rreth 5 minuta tani i ndjeri dhe bashkëshortja e tij si dhe shoferi i spitalit kanë mbetur brenda, ku më pas tani të ndjerit I.Gj., i është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe pengesa në frymëmarrje.

Aktakuza thotë se pas dërgimit të tani të ndjerit në Emergjencë, në gjendje të rëndë shëndetësore, e më pas edhe nga ekipi përkatës në repartin e trajtimit për COVID-19 në Prishtinë, I.Gj., kishte vdekur më 16 korrik 2020.

Për këtë sipas aktakuzës, Emra po akuzohet se ka kryer veprën penale të “Trajtimit i pandërgjegjshëm mjekësor” nga neni 254, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penl.

Sipas aktakuzës, i pandehuri i dytë Driton Tarfashiku, po akuzohet se në cilësinë e punonjësit shëndetësor pranë Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, në pozitën e teknikut medicinal, në dhënien e ndihmës ndaj pacientit- tani të ndjerit I.GJ., pasi është njoftuar nga kryeinfermierja Leonora Emra, për ta bërë bartjen e tij në Emergjencë për te ekipi për dërgimin e pacientëve për QKUK- në Prishtinë, i pandehuri e ka lënë pacientin së bashku me bashkëshorten e tij dhe shoferin e spitalit në vig, pranë ashensorit, në korridor, ku më pas me të hyrë në ashensor iu janë shfaqur defekte dhe për pesë minuta kanë qëndruar brenda, me këtë rast dhe pse pacienti e kishte aparatin astmatik, i janë shfaqur probleme në frymëmarrje, ku më pas u dërgua në QKUK në Prishtinë, në repartin për trajtim me COVID-19, ku edhe tani i ndjeri I.GJ., ka ndërruar jetë.

Me këtë, Tafarshiku po akuzohet se ka kryer veprën penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor” nga neni 254, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat