Opozita serbe kundër propozimit për marrëveshje me Kosovën

Lajme

Opozita serbe kundër propozimit për marrëveshje me Kosovën

Më: 30 janar 2023 Në ora: 09:16
Millosh Jovanoviq

Lideri i Partisë së Re Demokratike të Serbisë (PDS) Millosh Jovanoviq ka vlerësuar se nëse Serbia nuk e refuzon propozimin franko-gjerman për marrëveshjen në mes Serbisë dhe Kosovës, “do të bëhet koloni, përkatësisht rezervat euroatlantik”.

Ai në seancën e Bordit Kryesor të partisë ka thënë se është e nevojshme që ky plan, të cilin e quajti plan i SHBA dhe BE, “të refuzohet me vendosmëri, urgjentisht dhe tërësisht”.

Ai ka deklaruar se Beogradi zyrtar po përpiqet t’i frikësojë njerëzit me një “propagandë boshe” për pasojat e refuzimit të planit, i cili i trajton Serbinë dhe Kosovën si dy shtete sovrane.

Ata që marrin pjesë në të, ai i ka quajtur “ushtarë të perandorive të huaja dhe evropianë të përjetshëm”, dhe ka pretenduar se po punojnë kundër interesave kombëtare të Serbisë dhe popullit serb.

Parullën e tyre se nuk ka dorëzim e kanë plotësuar me sloganin se ka shitje”, ka pretenduar Jovanoviq.

Ai ka “vlerësuar” se Serbia tani është “në një udhëkryq fatal” dhe se, sipas fjalëve të tij, para saj është zgjidhja “të mbijetojë ose të zhduket”.

Lideri i PDS e Re ka pretenduar se të gjitha qeveritë që nga viti 2008 e çuan Beogradin zyrtar në një kolaps të politikës ndaj Kosovës dhe i ka akuzuar se kanë gënjyer, kanë qenë të paaftë, injorantë dhe frikacakë.

Ai ka thënë se “BE-ja sot kërkon që Serbia të heqë dorë nga “krahina e saj jugore”, dhe se qeveria në Beograd “vazhdon me gënjeshtra” dhe thotë se “nuk kërkohet njohje eksplicite”.

Jovanoviq gjithashtu e ka akuzuar qeverinë për “dhurim vullnetar të gjakut të të tjerëve, të cilët as nuk kanë marrë pjesë në luftën e vitit 1999”.

Ai ka pretenduar se ata që e nënshkruajnë apo e pranojnë këtë plan do të kryejnë “akt të tradhtisë së lartë” dhe theksoi se kur të vijë PDS e Re në pushtet, ata do të sanksionohen penalisht për këtë.

Ai gjithashtu ka thënë se PDS e Re do të luftojë kundër propozimit franko-gjerman me të gjitha mjetet legjitime demokratike, institucionale dhe jashtë institucionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat