Analisti serb: Kërkesa e Vuçiq dërguar KFOR’it për kthimin e ushtrisë serbe ishte për këtë qëllim

Lajme

Analisti serb: Kërkesa e Vuçiq dërguar KFOR’it për kthimin e ushtrisë serbe ishte për këtë qëllim

Më: 12 janar 2023 Në ora: 19:39
Dushan Janjiç

Me 16 dhjetor, Serbia i bëri kërkesë misionit paqeruajtës KFOR për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Më konkretisht vendosjen e 1000 trupave në veri të vendit.

Mbi këtë zhvillim media ka kontaktuar analisti politik nga Beogradi, Dushan Janjiç, për të kuptuar se cili është qëndrimi i tij karshi kësaj pike.

Janjiç nuk e sheh si refuzim të hapur kërkesën e Serbisë, por e dha si “të panevojshme” realizimin e saj.

Sipas tij kjo është një lloj propagande që po bëhet nga ana e Vuçiqit.

“Çfarë të them! Kemi pasur një përgjigje të KFOR’it që në thelb nuk ishte refuzim ndaj kërkesës së Serbisë sepse nuk është në kapacitetin e KFOR’it të refuzojë, por KFOR’i e komentoi si të panevojshme që Serbia të dërgojë ndokë, ngase KFOR’i është në gjendje të menaxhojë situatën. Në thelb kjo është hapje e derës për hapat e ardhshëm të qeverisë së Vuçiq, për të ridërguar këtë kërkesë, dhe tjetra është për aktivitetet diplomatike përfshirë në Këshillin e Sigurimin të OKB-së se është e mundshme dhe është e nevojshme. Por, lënë mënjanë këtë, kjo është një lloj loje propagande; s’është e mundshme sepse në Rezolutën 12/44 nuk thuhet asgjë për refuzim të kërkesës”, deklaroi analisti.

Kjo kërkesë sipas Janjiç po përdoret nga presidenti serb për konsum të brendshëm.

“Është ligjore, legjitime, por nuk është funksionale. Por, çfarë qëndron prapa kësaj? Mendoj se prapa kësaj është se Vuçiq dëshiron të tregojë ekstremistëve të djathtë dhe nacionalistëve për Kosovën nën kontroll të plotë ushtarak [të Serbisë]. Ai vetë ka thënë shumë herë se s’beson se kjo gjë mund të ndodh. Loja e tij, kryesisht për shkaqe (ose konsum) të brendshëm për opinionin serb dhe djathtistëve; dhe kjo është edhe arsyeja se pse NATO’ja po e toleron këtë”, potencoi ai.

Analisti Janjiç ka kërkuar nga pala serbe që të reflektojë dhe të lihet anash loja me armatime.

“Fatkeqësisht, kjo është mendimi personal i imi, dhe jo i njerëzve këtu. [Bëhet për] marketing propagandistik për situatën e sigurisë në Kosovë. Situata e sigurisë në Kosovë dhe Ballkan gjer më tash duket të jetë stabile. Në vend që të punohet në zbutjen e destabilitetit, loja me armatime, tanke e ushtri është destabilizimi i ri i situatës në terren. Pres që në dy muajt e ardhshëm të ketë disa iniciativa të tilla në këtë drejtim të palës serbe“, ka deklaruar ai.

Se Serbia nuk mund të “rikthejë” afro një mijë trupa në Kosovë duke u thirrur në Rezolutën 12/44 të Këshillit të Sigurimit ka qenë e qartë qysh në fillim, e tha edhe analisti kroat nga Zagrebi, Davor Gjenero.

Kjo ngase një gjë e tillë, siç pretendonte ta paraqiste Aleksandar Vuçiq për gjoja rrezikimin e serbëve dhe nevojën për mbrojtje ushtatrake të tyre, as që është e shkruar në atë Rezolutë, shpjegon eksperti kroat i çështjeve të Ballkanit.

“Por, pse po e bënte këtë? Në njërën anë për publikun e përgjithshëm serb, kurse në anën tjetër sepse priste që Kosova të bënte ndonjë hap të gabuar, ndërsa edhe më tej sepse është i përqendruar të bllokojë çdofarë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Gjenero.

Krejt këto manovrime, Davor Gjenero i sheh në funksion të mënjanimit të tablos së përgjithshme për normalizim të marrëdhënieve të hartuar në planin evropian, ndryshe të njohur edhe si plani franko-gjerman.

Aleksandar Vuçiq, sipas analistit kroat, “nuk është i gatshëm të pranojë zgidhjen sipas planit të vendosur nga Franca dhe Gjermania, që tashmë është i pranuar edhe nga shtetet tjera të BE’s”.

“Pra, është i interesuar të mirëmbajë status quo-n, që të ketë konfliktin e ngrirë me Kosovën, ta bllokojë Kosovën si shtet në anëtarësimet e saj në organizata ndërkombëtare dhe po sillet në interesin më të mirë të Rusisë dhe regjimit totalitar të zotit Putin”.

Çka tha Vuçiq pas refuzimit të kërkesës?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se KFOR-i ka refuzuar kërkesën e Serbisë për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Vuçiq në një intervistë për “TV Pink”, ka njoftoi se KFOR-i ka thënë se nuk beson se ka nevojë për kthimin e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës.

“Në letrën e tyre të përpiluar me kujdes drejtuar Qeverisë së Serbisë, të cilën e kam marrë edhe unë, ata janë përgjigjur se besojnë se nuk ka nevojë për kthimin e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës e M., duke iu referuar Rezolutës 1244. Por, ata nuk i janë referuar pjesës së Rezolutës, pasi nuk kanë të drejtë të refuzojnë kërkesën. Ata i janë thirrur normës për të ruajtur rendin. Kanë bërë një gabim tjetër”, ka thënë Vuçiq.

Kërkesa për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë erdhi pikërisht në kohën e tensioneve të shkaktuara pas vënies së barrikadave në Veri të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat