Beogradi flet gjëra të pavërteta për presidencën çeke, “Euractiv” përgënjeshtron Daçiqin për aplikimin e Kosovës në BE

Lajme

Beogradi flet gjëra të pavërteta për presidencën çeke, “Euractiv” përgënjeshtron Daçiqin për aplikimin e Kosovës në BE

Më: 21 dhjetor 2022 Në ora: 10:46
Ministri serb i jashtëm, Ivica Daçiç

Realiteti dhe gjërat qëndrojnë ndryshe nga ajo ç’thotë ministri serb i jashtëm, Ivica Daçiç, i cili pretendon se presidenca çeke i ka larë duart sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE dhe se Hungaria, përveç pesë shteteve tjera mosnjohëse të Kosovës, do t’ia bllokojë rrugën, shkruan media evropiane “Euractiv”, edicioni në gjuhën çeke.

“Realiteti, sipas atyreve të përfshirë në këtë proces, është pak më ndryshe”, pohon media evropiane.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në një rrugë të mbushur me pengesa pasi pesë shtete të BE’së: Qiproja, Greqia, Rumunia, Sllovaki dhe Spanja, nuk ia njohin pavarësinë.

Për më tepër, ky lajm s’u prit mirë në Beograd, i cili gjithashtu nuk ia njeh pavarësinë Kosovës dhe bën lëvizje për ta bllokuar atë në institucionet kyçe ndërkombëtare.

Të marten, ministri serb i jashtëm, Ivica Daçiç, pretendoi se Kryesia e Këshillit të Presidencës së BE’së, aktualisht e udhëhequr nga Republika Çeke, nuk do ta trajtojë atë fare.

“Republika e Çekisë e ka pranuar aplikimin, dhe sipas asaj që është lajmëruar dhe ashtu siç qëndrojnë gjërat sot, në seancën e cila do të mbahet këtë javë, ata vetëm do të informojnë për pranimin e aplikimit por nuk do ta vendosin në procedura të mëtutjeshme”, ka thënë Daçiç.

Megjithatë, sipas burimeve diplomatike të “Euractiv” edicioni në gjuhën çeke, deklarata e Daçiç është çorientuese, shkruan mediumi, raporton gazeta online Reporteri.net.

Që në fillim, plani i Këshillit Çek të Presidencës së BE-së ishte të pranonte aplikimin, gjë që ndodhi të enjten (15 dhjetor). Për më tepër, burime nga Presidencë Çeke i thanë “Euractiv” se jo vetëm që kishte informuar shtetet e tjera anëtare, por gjithashtu ia kishte përcjellë kërkesën e Kosovës Këshillit të martën (20 dhjetor).

Siç mësoi Euractiv.cz, në këtë fazë nuk mund të ishte bërë më shumë nga Presidenca Çeke dhe puna duhet të vazhdojë nën Presidencën suedeze, e cila fillon më 1 janar.

Që aplikimi të vazhdojë, nevojitet një konsensus midis shteteve anëtare, gjë që do të jetë e vështirë të arrihet. Daçiç, megjithatë, pohoi gjithashtu se Hungaria mund të qëndronte në rrugën e saj.

“Janë pesë shtete, përfshirë edhe Greqinë, që nuk e kanë njohur Kosovën dhe duke pasur parasysh qëndrimin e Hungarisë, e cila edhe pse e njeh Kosovën, nuk e voton në forumet ndërkombëtare”, ka theksuar Daçiq.

Euractiv kontaktoi qeverinë hungareze për koment, por nuk mori një përgjigje deri në kohën e publikimit të këtij teksti.

Për më tepër, është e paqartë saktësisht se në cilat forume ndërkombëtare Hungaria, një aleate e ngushtë e Beogradit që megjithatë njeh Prishtinën, ka votuar kundër Kosovës dhe për çfarë arsye.

Ndërkohë, gjatë vizitës së saj në shtator në vend, presidentja hungareze Katalin Novák tha se Hungaria është e vendosur dhe e përkushtuar për të mbështetur integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, përfshirë Kosovën.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologen e saj presidenten Vjosa Osmani, kreu i shtetit hungarez theksoi se Hungaria ka mbështetur që në fillim statusin pa viza për Kosovën.

Komentet e Daçiçit duhen marrë me pak kripë kur tensionet po ziejnë mes dy vendeve në veri të Kosovës me shumicë serbe dhe përgjatë kufirit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat