Vuçeviq: Të gatshëm “për të mbrojtur qytetarët tanë”

Lajme

Vuçeviq: Të gatshëm “për të mbrojtur qytetarët tanë”

Më: 12 dhjetor 2022 Në ora: 16:34
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq.

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha se “ushtria serbe është e gatshme të kryejë çdo detyrë për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Serbisë dhe të të gjithë qytetarëve të saj”.

Me këtë deklaratë, ai aludoi në territorin e Republikës së Kosovës – shtet i pavarur qysh në vitin 2008, por të cilin Serbia nuk e njeh.

Vuçeviq i bëri këto deklarata pas vizitës që realizoi në Rashkë, ku janë të stacionuar disa ushtarë serbë.

Rashka është qytet në Serbi që gjendet afër Jarinjës - pikë kufitare që ndan Kosovën me Serbinë.

Beogradi zyrtar, qysh më 8 dhjetor, ka paralajmëruar se është duke shqyrtuar dërgimin e forcave të tij në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Paralajmërimi është bërë pasi Policia e Kosovës ka rritur praninë në veri të vendit, ku ditëve të fundit ka pasur tensione dhe incidente me armë zjarri.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të hënën se Qeveria e tij, më 15 dhjetor, do të dërgojë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, për vendosjen e forcave serbe në Kosovë.

KFOR-i nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment në lidhje me këto paralajmërime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat