Trajkoviq fton Kurtin në takim

Lajme

Trajkoviq fton Kurtin në takim

Më: 31 gusht 2022 Në ora: 15:08
Momçillo Trajkoviq

Ish zyrtari i lartë i Millosheviqit në Kosovë dhe kryetari aktual i Forumit Kombëtar Serb, Momçillo Trajkoviq, i ka dërguar ftesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të takohen dhe të diskutojnë për “problemet me të cilat ballafaqohet komuniteti serb në Kosovë, si dhe zgjidhjet e mundshme”.

“Kurtit disa herë i kam thënë publikisht se dua të bisedojë me të, ne kemi një shoqatë tonën Forumin Kombëtar Serb, i cili mbledh intelektualë eminentë që mund të bëjnë një bisedë serioze, të bëjnë sugjerime, por edhe me argumente të tërheqin vëmendjen për politikën e gabuar”, ka pretenduar Trajkoviq.

Trajkoviq shpreson se Kurti do t’i përgjigjet thirrjes dhe se do ta përmbushë premtimin që ka bërë si kandidat për kryeministër në vitin 2019, kur ka paralajmëruar dialog me serbët e Kosovës, me vlerësimin se ai dialog është shumë më i rëndësishëm se ai që po zhvillohet me Serbinë në Bruksel.

“Kush do t’i besojë Kurtit i cili flet gjithë këto (për dialogun e brendshëm me serbët), por nuk ka bërë asgjë, nuk ka ardhur kurrë, mirë, mund të mos jetë Çagllavica, por p.sh. Novobërda. A shkoi atje për të parë pse ata njerëz po largohen nga atje? Ata po ikin për arsye ekonomike, por çfarë ka bërë qeveria e Kosovës për t’i ndaluar këta njerëz? Të gjitha qeveritë e Kosovës, përfshirë edhe atë të Kurtit, janë veçanërisht të interesuara që serbët të largohen nga këto zona dhe për këtë e mban përgjegjës Vuçiqin dhe kjo po ndodh në territorin ku “ai është pushtet dhe ka përgjegjësi të veçantë”, ka përfunduar Trajkoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat