U tha se Rama po synon rrëzimin e Kurtit, vjen reagimi nga Lajçi: Albini asht vet Kosova, ani se duket i lenduem, po kurrë..!

Lajme

U tha se Rama po synon rrëzimin e Kurtit, vjen reagimi nga Lajçi: Albini asht vet Kosova, ani se duket i lenduem, po kurrë..!

Nga: A.M Më: 20 qershor 2022 Në ora: 17:30
Çun Lajçi

Shkrimtari Çun Lajçi ka reaguar në lidhje me një deklartë që dyshohet se Rama e ka thënë në Samitin e Ohrit për rrëzimin e kryeministrit Kurti.

Lajçi përmes një postimi në Facebook u shpreh se nuk beson se Rama mund ta bëjë një gjë të tillë, pasi e di mirë se “dardanët, për nji plesht, i ndezin pishat, në brinat e dhive, e nuk lejojnë t'përmbyset vullneti i 51% t'kosovarve”

“Albini asht vet Kosova, ani se duket i lenduem, po kurrë i poshtnuem!”, deklaroi ai, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Analistët e portaleve

Të çmendurit flasin me bisht e me brina. Atyne, veshtë iu lëvizin si hienave, se mizat iu bajnë biz-biz, të birat e hundëve!

Edhe sytë iu skllibosen e shikimi iu mjegullohet!

Sa të çmendun ata që rrehin gjoks e mbahen të diturit e flasin, siç iu luen bishti e veshi!

Rama, kinse qenka çua n'kambë me rrëzua Kurtin e me ia përmbysë kunorën e Qeverisë!

Çfar anomalie!

Thua se asht koha e Zogut! Apo mbretnia e Pashiqit!

Thua se lugetërit e Toptanve janë çua nga varret, e duen me ia hangër kryet Hasan Prishtinës!

Jo more t'mjerë.

Rama mund t'jetë i çmendur n'artin e pikturës, por n'artin e politikës e din fare mirë se ku e ka vendin e si duhet veprua!

Ai vjen si vëlla n'tokën e vet, sa do që duket i çakurdisur, si mik i kolegut, Albinit, sa do që s'pajtohen, por jo me i përmbysë kalatë!

E din mirë, se dardanët, për nji plesht, i ndezin pishat, në brinat e dhive, e nuk lejojnë t'përmbyset vullneti i 51% t'kosovarve!

Albini asht vet Kosova, ani se duket i lenduem, po kurrë i poshtnuem!

Mirë se erdhe Kryeministër i Shqipnisë te Albin Kurti, Kryeministër i Dardanisë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat