VOA/ Dy gazetarë nga Ukraina vendosen në Kosovë

Lajme

VOA/ Dy gazetarë nga Ukraina vendosen në Kosovë

Më: 22 maj 2022 Në ora: 23:26
Foto nga vendi i ngjarjes

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njoftoi të dielën se kanë mbërritur në Prishtinë edhe dy gazetarë nga Ukraina, si pjesë e një programi për strehimin e gazetarëve të detyruar të largohen nga vendi i tyre për shkak të agresionit rus.

Gazetarët Serhii Shevchenko dhe Liudmyla Mekh, sipas Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, janë gazetarë veteranë që “kanë punuar në media të ndryshme në Ukrainë, dhe janë pjesë aktive e Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës (NUJU). Zonja Mekh është themeluese dhe presidente e Fondacionit “Nisma e Gazetarëve”, me seli në kryeqytetin ukrainas, Kiev”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në rrjetin Twitter i bëri jehonë mbërritjes së gazetarëve të radhës nga Ukraina duke nënvizuar se “kombet përcaktohen në kohë grindjesh dhe vështirësish, po kështu edhe njerëzimi. Ne qëndrojmë në solidaritet me Ukrainën”, shkroi ai.

Strehimi i gazetarëve ukrainas u mirëprit nga presidenti i Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës, Sergiy Tomilenko, i cili falënderoi “qeverinë, politikanët dhe gazetarët nga Kosova për zbatimin e një programi të posaçëm shtetëror për mbrojtjen e gazetarëve ukrainas!”.

Gazetarët nga Ukraina Serhii Shevchenko dhe Liudmyla Mekh tashmë i bashkohen gazetares, Lyudmila Makey, e cila ishte e para që arriti në Kosovë më 17 prill.

Vendosja e tyre në Kosovë është pjesë e një program të mbështetur nga qeveria e Kosovës, e cila është zotuar për strehimin e 20 gazetarëve nga Ukraina ndërsa ka ndarë një fond prej 150 mijë eurosh, për pranimin e tyre dhe mbulimin e shpenzimeve të qëndrimit të gazetarëve ukrainas për një periudhë deri në gjashtë muaj./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat