Administrata e Gjykatës Themelore të Prizrenit nis grevën

Lajme

Administrata e Gjykatës Themelore të Prizrenit nis grevën

Më: 14 mars 2022 Në ora: 13:49
Foto ilustrim

Shoqata Sindikale e Administratës së Gjykatës Themelore të Prizrenit ka njoftuar se nga dita e stome, Administrata e kësaj gjykate është në grevë.

Arsyet e kësaj greve përputhen me ato të grevës në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku ndër të tjerash po kërkohet realizim i kërkesave të parashtruara.

Ndër kërkesat që kjo gjykatë ka parashtruar janë: aprovimi i ligjit për punëtorët e administratës së gjykatave dhe prokurorive, përafrimi i pagave të punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, paga lineare nga 150 euro për punonjësit e administratës deri në hyrje në fuqi të Ligjit për Paga, pagimi i shujtës ditore në shumë prej 3 eurosh dhe pagimi i udhëtimit në shumë prej 3 eurosh.

Në njoftim thuhet se gjatë mbajtjes së grevës këto punë duhen kryer:

1. Lëshimi i të gjitha certifikatave dhe vërtetimeve që lëshohen me kërkesë të palës apo institucioneve publike;

2. Lëndët lidhur me propozimet për shqiptimin e masave të përkohshme;

3. Lëndët lidhur me propozimet për shqiptimin e masave të sigurisë;

4. Të gjitha veprimet e procedurës parapake;

5. Lëndët lidhur me pengim posedimin;

6. Të gjitha kërkesat për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit në konfliktet administrative;

7. Lëndët lidhur me dhunën në familje;

8. Të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin juridik ndërkombëtar;

9. Të gjitha veprimet e procedimit të lëndëve lidhur me mjetet juridike në gjykatat e instancave më të larta; si dhe

10. Të gjitha punët dhe shërbimet tjera të cilat sipas legjislacionit duhet të trajtohen me urgjencë nga gjykatat.

Ndërkohë, ky pezullim i punës do të bëhet deri në njoftimin e radhës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat