Edhe administrata e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, hyn në grevë

Lajme

Edhe administrata e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, hyn në grevë

Më: 9 mars 2022 Në ora: 16:51
Foto ilustrim

Ferizaj- Punëtorët e administratës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj nga e marta kanë hyrë në grevë.

Këtë gjë e ka konfirmuar zyrtarja për informim nga kjo prokurori, Vjosa Baftiu.

Ndryshe, Shoqata Sindikale e Administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, më 25 janar 2022 ua kishte drejtuar të gjitha institucioneve një kërkesë për realizimin e kërkesave të tyre.

Me anë të kësaj kërkesë, ata kishin kërkuar që të aprovohet Ligji për Administratën e Punëtorëve te Gjykatave dhe Prokurorive, bazuar në Projektligjin për ndryshim të Ligjit për Zyrtar Publik e specifikuar në nenin 2, pika 8.

Po ashtu, kjo shoqatë kishte kërkuar që të aprovohet edhe Ligji për Paga, i cili duhet sponsorizuar nga MAP-i, e që sipas tyre, duhet të eliminohen 11 nene, të cilat nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me qëllim që të bëhet balancimi i tri pushteteve dhe gjyqësori si shtyllë e tretë e pushtetit të ketë pavarësinë e tij të plotë funksional, organizativ dhe buxhetor.

Kërkesë tjetër e administratës së gjykatës është edhe rregullimi i pagave me ligj-përafrimin e pagave të punëtorëve të administratës gjyqësore dhe prokuroriale, me ato të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Për shkak se institucionet relevante kanë neglizhuar këto kërkesa, kryesia e Shoqatës Sindikale, nëndegët e saj dhe Shoqata Sindikale e Gjykatës së Apelit më 28 shkurt 2022, kanë marrë vendim që më 1 mars ta fillojnë grevën.

Por, sipas grevistëve, do të lejohen që lëndët e natyrës urgjente si: lëndët me paraburgim dhe lëndët me të cilat rrezikohet personaliteti i njeriut (dhuna në familje), si dhe shkresat që i adresohen gjykatës të pranohen nga stafi i arkivës në kohën e caktuar nga këshilli grevist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat