Bouckaert i HRW-së: Masakra në Abri, shembull pse nuk krahasohet Kosova me Ukrainën

Lajme

Bouckaert i HRW-së: Masakra në Abri, shembull pse nuk krahasohet Kosova me Ukrainën

Më: 25 shkurt 2022 Në ora: 10:13
Ilustrim

Ish-veprimtari i Organizatës “Human Rights Watch”, Peter N. Bouckaert, ka bërë një krahasim të luftës së fundit në Kosovë me atë që po ndodh sot në Ukrainë, duke thënë se çdo krahasim me këtë të fundit është i pavend.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai kujtoi se si 25 vjet më parë ushtria dhe forcat paramilitare serbe terrorizuan dhe masakruan civilë kosovarë, andaj u desht ndëhyrja e NATO-s. Por kjo,  siç shkruan ai,  nuk po ndodh në Ukrainë, meqë aty nuk ka vrasje të civilëve dhe Rusia nuk mund të arsyetohet se po e do ndalimin e krimeve të tilla.

Mes tjerash, Bouckaert kujton masakrën në fshatin Abri, ku forcat serbe vranë 21 anëtarë të një familjeje  më 26 shtator të vitit 1998. Si raportues për masakrën, ai e ka sjell edhe një foto të varrezave të tyre. 

Lexoni më poshtë postimin e plotë:

Kam mbuluar konfliktin e Kosovës dhe ndërhyrjen e NATO-s 24 vjet më parë. Çdo krahasim me Ukrainën është i pavend.

25 vjet më parë ushtria dhe forcat paramilitare serbe terrorizonin civilët kosovarë dhe bënin masakër pas masakre. Kjo pasi e njëjta ushtri dhe të njëjtit paraushtarakë serbë kryen gjenocidin dhe mizoritë masive në Bosnje dhe Kroaci. Millosheviqi mori paralajmërime të panumërta nga ShBA-ja dhe NATO-ja për t’i dhënë fund mizorive ose për t’u përballur me veprime ushtarake nga NATO, dhe më në fund NATO ndërhyri. Këto nuk ishin mizori të trilluara, siç kanë vendosur gjykatat ndërkombëtare kur kanë dënuar autorët e tyre.

Ukraina nuk është përfshirë në ndonjë sjellje të tillë ndaj qytetarëve të saj. Ajo luftoi kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia që përpiqeshin të copëtonin territorin e saj, gjë që çdo komb do ta bënte. Ka pasur shumë të vdekur nga granatimet pa dallim dhe kjo ishte e papranueshme, por Ukraina kurrë nuk e ka shënjestruar popullsinë e saj rusisht-folëse.

Pretendimet e Putinit për “gjenocid” janë absurditet, por është i njëjti justifikim sa herë që Rusia sulmon fqinjët e saj, siç bëri me Gjeorgjinë dhe Moldavinë. Putini nuk dëshiron vende të forta, demokratike, me prirje perëndimore në kufijtë e tij dhe është i lumtur të përdorë gjakderdhjen për t’i destabilizuar ato.

Fotoja është e viktimave të sapovarrosura të Abrisë, ku forcat serbe vranë 21 anëtarë të një familjeje të madhe më 26 shtator 1998. Shumica ishin gra, fëmijë dhe të moshuar. Dy fëmijë të vegjël u qëlluan në kokë. Unë kurrë nuk do t’i harrojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat