Tri doza vaksine për të hyrë në Kosovë, protestë në Morinë: Boll s’e kemi parë njëri-tjetrin për 40 vjet

Lajme

Tri doza vaksine për të hyrë në Kosovë, protestë në Morinë: Boll s’e kemi parë njëri-tjetrin për 40 vjet

Më: 24 janar 2022 Në ora: 08:07
Protesta

(E plotësuar 15:07) - Një grup qytetarësh nga Kukësi protestuan sot në pikën kufitare të Morinit që lidh Shqipërinë me Kosovën. Arsyeja është vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës që për shtetasit e huaj kërkon tri doza vaksine ose dy si dhe testin PCR jo më të vjetër se 48 orë për të hyrë në vendin tonë. Kjo ka ngjallur revoltë tek kuksianët që lëvizjen e tyre drejt Prizrenit e kanë të përditshëm.

Qytetari 1: Jam duke i rregulluar dhëmbët në Kosovë

“Kam dalë të shkoj në Kosovë, Kosova është Shqipëri, jo Kosovë. Jemi bashkë ne. Dola që pardje kam bërë llafe se jam duke i rregulluar dhëmbët në Kosovë. Nuk më lanë. Dy doza i pata, tha shko bëji tre ose tamponin. Edhe nuk më la”, tha një i moshuar.

Një tjetër qytetar tha se në Prizren ka motrën dhe nipat si dhe shkon tek ata për shumë arsye.

Qytetari 2: Dua të shkoj të shoh njerëzit e mi

“Unë kam motër, kam njerëzit e mi, nipa e stërnipa në Prizren e dua të shkoj edhe për qejf edhe për dert, edhe për ndonjë sëmundje, ndonjë vdekje, ne kemi hyrje-dalje me ta. Dua të shkoj në shtëpi timen. Sot ne të gjithë këta që kemi dalë për të protestuar sepse nuk po a lënë të shkojmë të shohim njerëzit tanë”, tha ai.

Protestuesit kërkuan që Qeveria e Kosovës të rishikojë me urgjencë vendimin dhe ta heqin të njëjtin.

Qytetari 3: Boll s’e kemi parë njëri-tjetrin për 40 vjet

“Në këtë të ftohtë ne kemi thirrur një protestë paqësore që t'i kërkojmë Qeverisë së Kosovës që të lehtësojë lëvizjen e lirë të popullsisë shqiptare, Shqipëri-Shqipëri, Dhe ne i kërkojmë me çdo kusht Qeverisë së Kosovës që të na heqin barrierat, vaksinimin, sidomos vaksinën e tretë, të na heq tamponin, të na heqin lëvizjet për njerëzit, të mos kërkojë tamponë për një vizitë te farefisi ynë, se boll 40 vjet nuk i pamë më sy e tash prape po na del pas 40 vitesh sot po bëjmë 110-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar dhe prape po na dalin barriera”, tha një tjetër protestues.

Një tjetër qytetar që po kërkonte të shkonte ne Prizren për arsye familjare, tha se vaksinën e tretë nuk kanë të drejtë ta bëjë gjithkush, por vetëm personat mbi 60-vjeç ose ata me sëmundje kronike.

Qytetari 4: Vaksinën e tretë s’kemi të drejtë ta bëjmë

“Sot kemi dal sepse na ka bllokuar Qeveria e Kosovës për të mos shkuar në Prizren. Na në Prizren kemi dalë që 30 vjet pas mbarimit të luftës, shyqyr që erdhi ajo ditë, sot po na bllokojnë me mënyra të ndryshme. Tre vaksina ne nuk kemi të drejtë t'i bëjmë, sepse sipas Këshillit Ekspertëve ka thënë mbi moshën 60-vjeç ose ata nën 60-vjeç me sëmundje kronike. Ne s'kemi të drejtë të marrim tri vaksina. Ne kemi farefis, ne shkojmë për mirë, edhe për qejf, sot qeveria e Albin Kurtit të na bllokojë në këtë mënyrë nuk është normale, nuk i ka hije”, tha ai.

Reagime kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës që kërkon tri doza vaksine për të hyrë në Kosovë e kanë kundërshtuar edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës si dhe ata në Maqedoninë e Veriut.

Publikohen pamje/ Protestuesit tentojnë ta kalojnë kufirin në Morinë, përplasen me policinë

Masa e vendosur nga Qeveria e Kosovë që çdokush që hynë në Kosovë të ketë tri dozat e vaksinës anti-COVID apo dy doza të vaksinës dhe testin PCR negativ ka revoltuar shumë qytetarët e Shqipërisë që kanë destinacion Kosovën. Në pikën kufitare në Morinë numri i atyre që ia kishin mësyrë Kosovës këtë fillimjavë nuk ishte i madh, ndërkohë që shumë nga ta u kthyen pasi nuk posedonim tri dozat e vaksinës. E posedimi i një testi PCR nga këta qytetarë po konsiderohet taksë e panevojshme.

Duke mos u pajtuar me këtë vendim ata kërkonin që sa më shpejt të largohet kjo masë.

Pëllumb Jemini, i cili për shkak të punës çdo ditë detyrohet të kalojë kufirin Kosovë-Shqipëri konsideron se kjo masë ua vështirëson lëvizjen.

Jemini: Të hiqet kjo masë

“Vështirë është, kuptohet qe është vështirë por nuk është paraparë kjo punë tek ne hiq, nuk e di ky Albin Kurti shumë dobët, po e shajnë të gjithë dhe nuk e di se çka. Nuk e di se të juajt i lejojnë këndej e neve nuk na lejojnë andej... Patjetër që duhet të hiqet, ne jemi një nuk e di se çka bëhet kështu... Unë punoj për ditë këtu por nuk po na lejojnë tani”, tha ai.

I revoltuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës u shpreh edhe Teki Shema i cili posedimin e tri dozave për të hyrë në Kosovë e ka konsideruar absurd.

Sipas tij kjo masë duhet të rishikohet sa më shpejt.

Shema: Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të pasur tri doza është absurd

“Nuk e di se pse na e kanë bërë atë punë neve, kurr shkon në Evropë me dy dozat dhe të hysh në Kosovë me tri doza, kurse në Shqipëri akoma nuk ka dal vaksina e tretë më duket shumë absurde... Dy doza kam, po provoj tash nuk e di a do të më lejojnë apo do të më kthejnë... Për neve është një tarifë e rëndë të paguajmë 20 euro për tu futur në Kosovë dhe për tu kthyer, kur kam dy vaksinat e bëra nuk më duket normal”, deklaroi ai.

Xhelal Xhani nga Peshkopia sot nuk u lejua që të hyjë në Kosovë përkundër që kishte tri dozat e vaksinës kundër COVID-19, pasi nuk figuronte në sistem se ka marrë edhe dozën e tretë.

Shumë i mllefosur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, Xhani thotë se nuk po lejohet të marr vajzën e tij të cilën e ka të martuar në Pejë.

Xhani: Kam bërë tri dozat e vaksinës, por më thonë se të tretë nuk e nxjerr sistemi

“Unë kam vajzën në Pejë të martuar, ka pesë ditë dua të shkoj ta marr të vijë me kalamaj në Shqipëri, këta nuk më lënë. Kam bërë edhe dozën e tretë ‘nuk ta nxjerrë sistemi’ thotë”, theksoi Xhani.

Ndonëse kishte tre dozat e vaksinës anti-COVID, Bislim Sedës iu deshtë të kthehej pasi familjari i tij nuk u lejua të hyjë në Kosovë pasi ai nuk kishte tri dozat e vaksinës dhe as testin PCR negativ.

Seda: Mua më lejuan por këtë tjetrin jo

Ky i ka dy doza këtu dhe këtë, unë kam tri doza nuk kam problem për mua tha në rregull, por për këtë tha jo 30 euro ka paguar”, tha ai.

Për shkak të situatës së rënduar epidemiologjike nga dita e shtunë në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID. Me masat e reja parashihet që çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë: certifikatën e vaksinimit me tri doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19, ose certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19.

Rishikim me urgjencë të këtyre masave gjatë ditës së djeshme ka kërkuar edhe zëvendësministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Ilir Hasani.

Vetëm në 24 orët e fundit në Kosovës është shënuar një rast me fatalitet si pasojë e infektimit me COVID-19, ndërsa raste të reja të infektuara kanë rezultuar 2 mijë e 957 raste. 

Publikohen pamje/ Protestuesit tentojnë ta kalojnë kufirin në Morinë, përplasen me policinë

Mëngjesin e sotëm është zhvilluar një protestë në pikën kufitare të Morinës, ku qytetarët kanë kundërshtuar masat e reja anti-COVID të vendosura nga qeveria e Kosovës.

Dhjetëra qytetarë, kanë tentuar të kalojnë kufirin në të dy anët, por janë përplasur me forcat e policisë, pasi nuk plotësonin kushtet.

Ata deklarojnë se e kanë të pamundur të paraqesin një vaksinë me 3 doza, pasi afati nga marrja e një doze tek një tjetër është disa javë.

 

Nuk na lejojnë me dy vaksina. Kam dy vaksina, s’më ka ardhur akoma koha që të bëj të tretën”, u shpreh një qytetar.

Protestuesit deklarojnë se e kanë të pamundur që të bëjnë testin PCR çdo javë për të kaluar kufirin, i cili kushton deri në 35 mijë lekë.

Ne protestojmë për punë, për punë kemi dalë atje. Po na kërkojnë 3 vaksina”, tha një tjetër.

Nga 22 janari deri në datën 4 shkurt, qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Kosovës, duhet të kenë certifikatë vaksinimi me 3 doza, ose një certifikatë vaksinimi me dy doza dhe një test PCR negativ.

***

Kukësiani i revoltuar: Nuk është hera e parë që Kosova na e bën këtë, Albini dhe Edi Rama janë njësoj

Ka nisur protesta e kuksianëve në kufirin Shqipëri-Kosovë. Qytetarët e Kukësit po kërkojnë nga Qeveria të heqin masën për hyrjen në Kosovë me tri doza të vaksinës kundër koronavirusit, pasi siç thanë ata, në Shqipëri doza e tretë u jepet vetëm të moshuarve dhe atyre me sëmundje kronike.

Ata janë ankuar se testi PCR kushton rreth 30 euro dhe nuk kanë mundësi ta paguajnë për të hyrë në Kosovë.

Një nga protestuesit teksa shprehte revoltën rreth masave të reja, tha se nuk është hera e parë që Kosova ka marrë masa të tilla.

Është hera e tretë që kosovarët po na bëjnë këtë gjë. Herën e parë më një vaksinë, herën e dytë me dy vaksina edhe tash me dozën e tretë të vaksinës. Ndërkohë që vaksina e tretë bëhet në momentin që ti i bën gjashtë muaj. Ne, gjithë populli i Kukësit hajmë bukë në Kosovë. Një zgjidhje duhet ta gjejmë ne, ose ta bllokojmë rrugën ose të hiqet kjo masë. Si Albini si Edi Rama njësoj janë”, është shprehur qytetari.

Kundër masave të fundit të Qeverisë së Kosovës janë shprehur edhe nga Maqedonia e Veriut.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali ka telefonuar homolgun e tij nga Kosova, Rifat Latifi të cili i ka kërkuar që t’i rishqyrtoj masat.

***

Një numër qytetarësh po protestojnë afër pikëkalimit kufitar Kosovë – Shqipëri në Morinë.

Situata është tensionuar për shkak të rregullave të rrepta anti-covid që Kosova po i aplikon së fundmi në kufij. Qytetarët kërkojnë heqjen e masave kufizuese pasi tashmë për t’u futur në Kosovë duhen tri doza të vaksinës kundër Covid-19, ose dy doza dhe një test negativ PCR.

Nga pamjet e siguruara nga ABC në kufi duket një prezencë e shtuar e forcave policore të cilët tentojnë të negociojnë me qytetarët që e kanë bllokuar rrugën.

“Herën e parë me një vaksinë, herën e dytë me dy, herën e tretë me tre. Ndërkohë që vaksina e tretë bëhet gjashtë muaj. Ka afat kohor 6 mujor”, shprehet një qytetar i revoltuar.

Të shumta kanë qenë reagimet pasi Kosova njoftoi masat e reja anti-covid nga qytetarë por edhe nga shtete fqinje si Maqedonia e Veriut e cila kërkoi rikthim të masave paraprake.

Protestojnë kuksianët, kërkojnë heqjen e masës për hyrje në Kosovë me tri doza të vaksinës

Ka nisur protesta e kuksianëve në kufirin Shqipëri-Kosovë.

Qytetarët e Kukësit po kërkojnë nga Qeveria të heqin masën për hyrjen në Kosovë me tri doza të vaksinës kundër koronavirusit, pasi siç thanë ata, në Shqipëri doza e tretë u jepet vetëm të moshuarve dhe atyre me sëmundje kronike.

Qytetarët më tej janë ankuar se testi PCR kushton rreth 30 euro dhe nuk kanë mundësi ta paguajnë për të hyrë në Kosovë.

Me masat e reja për shkak të rritjes së rasteve me variantin Omicron, asnjë qytetarë i huaj nuk mund të hyjë në Republikën e Kosovës pa pasur tri doza të vaksinës, ose një test PCR negativ.

Nis protesta e kuksianëve në pikën kufitare Shqipëri-Kosovë

Ka nisur protesta e kuksianeve në kufirin Kosovë-Shqipëri.

Qytetarët e Kukësit po kërkojnë heqjen e pengesës për lëvizjes të lirë të shtetasve shqiptarë, të cilët nuk janë të vaksinuar me tri doza kundër kosovanirusit, siç parasheh vendimi i Qeverisë së Kosovës.

“Njoftohen të gjithë banorët e rrethit të Kukësit se më datë 24.01.2022 në orën 10 do të zhvillohet një grevë paqësore pranë doganës së Morinit. Për arsye të heqjes së pengesave të lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë nga ana e Qeverisë së Kosovës. kërkojmë mbështetjen e të gjithëve pasi nuk është protestë politike por paqësore në shërbim të komunitetit”, ka njoftuar organizatori i kësaj proteste Rakip Matmuja.

Kuksianët protestojnë në Morinë, kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për tri vaksinat

Qytetarët e Kukësit  sot në ora 10:00 do të zhvillojnë një protestë paqësore në pikën kufitare në Morinë.

Kjo protestë është thirrur me qëllim të heqjes së pengesës për lëvizje të lirë të shtetasve shqiptarë, të cilët nuk janë të vaksinuar me të tri dozat e vaksinës kundër COVID-19, siç e parasheh vendimi i Qeverisë së Kosovës, që askush nuk mund të hyjë në Kosovë pa pasur dëshminë e vaksinimi me të tri dozat e vaksinës.

“Njoftohen të gjithë banorët e rrethit të Kukësit se më datë 24.01.2022 në orën 10 do të zhvillohet një grevë paqësore pranë doganës së Morinit.

Për arsye të heqjes së pengesave të lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë nga ana e Qeverisë së Kosovës. kërkojmë mbështetjen e të gjithëve pasi nuk është protestë politike por paqësore në shërbim të komunitetit”, ka njoftuar organizatori i kësaj proteste Rakip Matmuja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat