Propozimi i komandantit të KFOR-it, Sveçla: E dëshmuan se s’janë të brengosur me forcat speciale

Lajme

Propozimi i komandantit të KFOR-it, Sveçla: E dëshmuan se s’janë të brengosur me forcat speciale

Më: 28 shtator 2021 Në ora: 12:52
Xhelal Sveçla

(E plotësuar 13:40) - Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se situata në veri është e qetë, e kontrolluar dhe se me ndihmën e shteteve aleate dhe misioneve aleate situata do të tejkalohet paqësisht.

“Njësitë speciale janë aty për te mbështetur punën e institucioneve tjera që përkujdesen për rend dhe ligj atje, doganës dhe policisë kufitare, në momentin që do të përfundojë nevoja për këtë mbështetje nuk kemi arsye që policia speciale e Kosovës të qëndrojë aty”, ka thënë Sveçla.

Këto komente Sveçla i bëri gjatë një konferencë të përbashkët me homologun e tij austriak, Karl Nehammer, të cilin e njoftoi mbi ngjarjet e fundit në veri të vendit.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme të Austrisë, Karl Nehammer, ka thënë se në situata të tilla të vështira nevojiten partnerë, derisa ka lavdëruar Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar gjatë qëndrimit atje.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që të ruhet gjakftohtësia atje dhe të mos ketë provokime që do të eskalonin situatën.

“Në këtë situatë të vështirë nevojiten partner, por siç me siguroi ministri operacioni po zhvillohet pozitivisht, gëzohem që aty ku ka protestues policia kosovare po vepron në mënyrë përkatëse dhe me kujdes edhe pse nuk e kanë detyrën e lehtë. Ajo që po bëhet tani është rruga e saktë dhe e duhur edhe pse nuk është rrugë e shpejtë dhe spektakolare. Më e rëndësishmja në situata të tilla është të mos provokohemi dhe posaçërisht të këtë qetësi dhe qartësi edhe duke e siguruar qeveria e Kosovës ndërsa BE është duke siguruar që ne mos të pranojmë dhunën si mjet politik”, tha ndër të tjera ministri austriak, Karl Nehammer.

***

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla pas takimit me ministrin e Brendshëm të Austrisë, Karl Nehammer, ka folur për propozimin e komandantit të KFOR-it për situatën në veri.

Sveçla tha se nëse largohen barrikadat atëherë edhe prania e njësive speciale do të ishte e panevojshme. Por tutje ai ka njoftoi se kjo “ofertë e komandantit të KFOR-it është refuzuar” nga siç i ka quajtur ai elementet ekstremiste.

Sipas tij, me këtë refuzim, serbët kanë dëshmuar se nuk janë të brengosur me praninë e forcave speciale në veri të Kosovës.  

“Ne që nga dita e parë e kemi bërë të qartë që masat nga Qeveria e Kosovës nuk janë kundër qytetarëve të cilësdo përkatësi. Është përmbushje e obligimit ligjor, për sundim të renit e të ligjit. Angazhimi i njësive speciale nuk është bërë drejtuar rrezikimit të interesave të qytetarëve por për të mbrojtur pikat tona kufitare dhe personelin aty. Kemi parë ashpërsim të retorikës së autoriteteve serbe dhe strukturave paralele në Kosovë, të cilët kanë portretizu angazhimin e njësive speciale. Ka qenë i nevojshëm ky hap. Duke qenë se KFOR-i ka ofruar angazhime shtesë, ne kemi thënë se me largimin e barrikadave, njësia speciale do të ishte e panevojshme. Edhe kjo ofertë e komandantit të KFOR-it është refuzuar nga këto elemente ekstremiste. Me këtë refuzim e kanë dëshmuar se nuk janë të brengosur me praninë e forcave speciale dhe se qëllimet e tyre janë politike dhe në dëm të sovranitetit të vendit tonë”, tha Sveçla.

Sveçla pas takimit me homologun austriak: Ligjshmëria në veri është parakusht për prosperitet 

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për situatën në veri të Kosovës ka biseduar edhe me homologun e tij austriak, Karl Nehammer, të cilin e ka pritur në takim.

Kjo nuk është as provokim as kërcenim për asnjë qytetar te Republikës sonë, ligjshmëria në veri është parakusht për prosperitet të qytetarëve tanë. Deri më tani janë lëshuar 11 mijë targa të përkohshme. Austria ashtu si aleatët tjerë te botës demokratike janë pozicionuar drejt sundimit të ligjit, paqes dhe sigurisë”, ka thënë ministri i Brendshëm.

Ai ka theksuar se janë të përkushtuar në luftimin e pakompromis të krimit në tërë territorin e Kosovës duke shtuar do të luftojmë te gjitha dukuritë negative.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat