“Grackë e rrezikshme, me pasoja të frikshme”/ Çitaku i reagon ashpër Bislimit pas deklaratës për hapjen e arkivave të UÇK-së

Lajme

“Grackë e rrezikshme, me pasoja të frikshme”/ Çitaku i reagon ashpër Bislimit pas deklaratës për hapjen e arkivave të UÇK-së

Nga: M.L. Më: 9 shtator 2021 Në ora: 16:31
Vlora Çitaku

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi pas takimit të fundit në Bruksel ka deklaruar se pala serbe deklarativisht ka rënë dakord që të hapen të gjitha arkivat, gjë që për ata nënkupton edhe arkivat shtetërore të Kosovës, që kanë të bëjnë me Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Kjo ka nxitur reagimin e ish ambasadores së Kosovës në SHBA-së dhe nënkryetares së PDK-së, Vlora Çitaku.

Ajo në një postim në Facebook, ka thënë se nëse Bislimi e ka pasur fjalën për arkivat e Beogradit për UÇK-në, ato tashmë janë në Hagë.

Zv.kryeministri paska deklaruar në Bruksel se Beogradi është pajtuar t’i hapin arkivat, e aty paska thanë edhe diçka për hapjen e arkivave për UÇK-në.

Zoti Bislimi, për cilat arkiva e ke fjalën? Arkivat e Beogradit për UÇK-në? Ato tashmë janë në Hagë. Arkivat e Kosovës për UÇK-në? Apo arkivat e fabrikuara nga të tjerët për UÇK-në?”, shkroi Çitaku në Facebook.

Ajo tha se në mënyrë të papërgjegjshme përfaqësuesit në dialog po pranojnë akuzat e Serbisë ndaj Kosovës që janë bërë tash e sa vjet.

“Ju a po mendoni që me pasë pasë UÇK arkiva të tilla ato nuk kishin dalë tashmë?!!! Kjo është një grackë e rrezikshme, me pasoja të frikshme. Me veprimet tuaja të papërgjegjshme tashmë keni pranuar atë për të cilën Serbia ka akuzuar Kosovën dhe UÇK-në për vite të tëra”, u shpreh Çitaku në Facebook.

Ndryshe, zv. Kryeministri Bislimi mes tjerash ka thënë se hapja e arkivave nga Serbia është në interesin e Kosovës, për arsye se shteti serb i di në hollësi lokacionet se ku ndodhen varrezat masive me trupat e pajetë të kosovarëve të zhdukur gjatë luftës së fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat