Media serbe: Çka do të ndodhë me Ujmanin pas 4 shtatorit?

Lajme

Media serbe: Çka do të ndodhë me Ujmanin pas 4 shtatorit?

Nga: F.B Më: 3 shtator 2021 Në ora: 10:47
Liqeni i Ujmanit

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, nga Sllovenia ku mori pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, tha se “shqiptarët pas 4 shtatorit sipas informatave që ka, do të nisin me kërkesat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe njohje të reja për Kosovën, që marrëveshjen e Uashingtonit ka pasur moratorium”, por mbetet e paqartë çka do të ndodhë me Ujmanin, shtron çështjen “Sputnjik” transmeton “Bota Sot”.

Marrëveshja e Uashingtonit që u nënshkrua nga Prishtina dhe Beogradi edhe me 4 shtator 2020, akcenti ishte vënë në ekonomi dhe krahas studimit për menaxhimin e Ujmanit përfshin edhe ndërtimin e autostradës dhe projekte tjera përcjellëse.

Ish-kreu i Këshillit të përkohshëm ekzekutiv Zoran Angjelkoviç, tha se kur bëhet fjalë për Ujmanin, Prishtina nuk ka pranuar raportin e amerikanëve për planin e menaxhimit të tij.

“Sipas kësaj, kjo çështje nuk ndërlidhet me 4 shtatorin sepse Kurti nuk pranon asgjë nga marrëveshja e Uashingtonit përveç njohjen nga Izraeli, mendoj se ata kanë vazhduar të punojnë për njohje dhe anëtarësim në Interpol e UNESCO, por jo publikisht”, tha ai.

KFOR nuk do lejojë pushtimin e pajisjeve

“Sa i përket Ujmanit, ka marrëveshje të nënshkruara dhe premtime nga njeriu i parë i NATO-s se forcat shqiptare të sigurisë nuk do shkojnë në veri pa pëlqimin e KFOR-it, andaj konsideroj se shqiptarët nuk do lëshohen në aventura si është pushtimi i pajisjeve”. tha Angjelkoviç.

Politologu nga OJQ „Aktiv“ nga Kosova, Igor Markoviç, nuk beson se Amerika do të lejojë që marrëveshja e Uashingtonit ashtu kot të shkelet, posaçërisht në pjesën ekonomike, ku bie edhe Ujmani dhe autostrada deri në Merdar.

“Vështirë të parashikohet si do sillet qeveria Kurti duke marrë parasysh se në fillim të marrjes së detyrës ende sillet si opozitë”, tha biseduesi i “Sputnjik”.

Kurti, sipas Markoviç, nuk taktizon në raport me vendet e Quintit, por vështirë të pritet hap i kuptueshëm nga Prishtina në përmbushjen e marrëveshjes së Uashingtonit.

Mjetet amerikane janë pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit

“A flasim për Ujmanin apo autostradën është e parëndësishme, problem tjetër është se përzihen elemente të marrëveshjes së Uashingtonit. Data 4 shtator është dita ku merr fund moratoriumi për tërheqje apo njohje të reja, por nuk duhet harruar pjesën investuese ekonomike nga kompanitë amerikane”, tha Markoviç.

“Ne pra nuk dimë nëse Uashingtoni do bëjë presion ndaj Prishtinës dhe Beogradit që studimi rreth Ujmanit të përmbushet, por pasi po bëhet plani për autostradë nga kompani amerikane, vështirë të thuhet se amerikanët heqin dorë nga interesi i vetë ekonomik”, tha Markoviç.

Rëndësia e Ujmanit

Të përkujtojmë se një nga pikat e marrëveshjes së Uashingtonit ishte edhe Ujmani dhe studimi i qëndrueshmërisë që amerikanët kanë premtuar financim të disa projekteve.

Sipas dokumenteve zyrtare qeveritare,, nga hidro-sistemi Iber-Lepenc në Ujman në komunën e Zubin Potokut me ujë të pijshëm furnizohen komunat në veri të Kosovës, rajonin e Mitrovicës dhe Prishtina me rrethinë. Pala serbe insiston në menaxhimi i liqenit të Ujmanit të jetë në kompetencë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por pala e Kosovës kategorikisht e kundërshton këtë.

Liqeni i Ujmanit ka rëndësi jetike për Kosovën, pasi furnizon me ujë mbi 500 mijë banorë nga 7 komuna të Kosovës në veri edhe jug të lumit Ibër: Mitrovicën, Veriun e Mitrovicës me Zveçanin, Vushtrrinë, Drenasin, Skenderajn dhe një pjesë të Prishtinës, Krahas kësaj termocentrali „Kosova A“ dhe „Kosova B“, Kombinati „Trepça“ dhe „Feronikeli“ varen nga furnizimi me ujë prej liqenit të Ujmanit, ndërkohë që nga hidrocentrali i Ujmanit prodhohen 32 megavat energji elektrike, shkruan “Sputnjik”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat