LDK: Haxhiu dhe MD po ndërhyjnë në pavarësinë e institucioneve të drejtësisë

Lajme

LDK: Haxhiu dhe MD po ndërhyjnë në pavarësinë e institucioneve të drejtësisë

Më: 12 gusht 2021 Në ora: 14:25
Shkëmb Manaj

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kritikuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun për siç thonë sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë.

Koordinator i Departamentit për Rend, Ligj dhe Siguri nga LDK, Shkëmb Manaj thotë se sulmet ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) janë ndërhyrje flagrante në pavarësinë institucionale. Manaj ka kërkuar edhe që strategjia e sundimit të ligjit e miratuar të mërkurën në Kuvend duhet të dërgohet për miratim edhe në Kuvend.

Manaj: Sulmet ndaj KGjK-së dhe KPK-së janë ndërhyrje në pavarësinë e institucioneve të drejtësisë

“Këto janë sulme dhe ndërhyrje flagrante në pavarësinë institucionale në sistemin tonë të drejtësisë. Sulmet e tilla i pengojnë institucionet e drejtësisë në punë e tyre. Kjo sjellje e ministres së Drejtësisë tregon qartë se kjo qeveri është e praktikantëve që në mungesë të vizionit për të rregulluar sistemin tonë të drejtësisë dhe për të vazhduar atë e sulmon çdo ditë. Edhe sot kjo qeveri ende nuk e ka idenë se si do t’i qaset procesit të vetingut[...] tashmë kur e kanë shumicën e qeverisjes nuk mund ta akuzojnë askënd, tash duhet të punojnë dhe të angazhohen për përmirësimin gjendjes në sistemin e drejtësisë ministrja e drejtësisë si duket nuk e ka të qartë se cilat janë kompetencat e saj dhe se cili është raporti i saj me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës”, tha ai.

LDK i ka bërë thirrje ministres Haxhiu që t’i ndalë sulmet ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të angazhohet në ushtrimin e kompetencave të saj për fuqizimin e këtyre institucioneve.

Ndonëse e përkrahin dokumentin për strategjinë në sundimin e ligjit, Manaj thotë se përtej mbështetjes së qeverisë ky dokument duhet të diskutohet dhe të aprovohet edhe në Kuvend.

Manaj: Dokumenti për strategjinë e sundimit të ligjit të dërgohet në Kuvend për diskutim

“Miratimi i strategjisë për sektorin e sundimit e ligjit është hap për t’u përshëndetur por ne vlerësojmë që ky dokument duhet të dërgohet në Kuvend të Republikës për diskutim dhe aprovim dhe duhet të marr mbështetje përtej një qeverie asaj i duhet konsensus i gjerë politik dhe nacional”, u shpreh ai.

Kujtojmë polemikat mes Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) me Ministrinë e Drejtësisë (MD) erdhën pasi që zëvendësministri i kësaj të fundit, Blerim Sallahu akuzoi ish-ministren e Drejtësisë Dhurat Hoxha dhe Këshillin Porkurorial për ndarjen e mjeteve financiare prej afër 1 milion euro në mënyrë të kundërligjshme për grupe të caktuara të ekspertëve mjekoligjore.

Ndaj kësaj deklarate reagoi KPK, por të mërkurën në konferencë për media rreth kësaj deklaratë të KPK-së, u deklarua edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo tha se nuk do të mbështet KGjK dhe KPK nëse i mbyllin sytë ndaj shkeljeve dhe skandaleve.

Edhe kjo nxiti reagimin e KGjK-së dhe KPK-së.

KGjK tha se po i përmbushin përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore dhe se deklaratat e ministres Haxhiu nuk i kontribuojnë bashkëpunimit të institucioneve.

E KPK deklaroi se nuk kanë nevojë të mbështeten nga askush e aq më pak nga pushteti ekzekutiv. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat