Edhe kjo ndodh: Biznesmeni i njohur arrestohet për armëmbajtje me leje, policia fsheh rastin

Lajme

Edhe kjo ndodh: Biznesmeni i njohur arrestohet për armëmbajtje me leje, policia fsheh rastin

Më: 2 gusht 2021 Në ora: 15:44
Ilustrim

Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, Policia e Kosovës ka arrestuar biznesmenin kosovar H.B., i cili ka disa biznese në Kosovë dhe në diasporë. 

Arrestimi i tij ishte bërë për armëmbajtje me leje, jo pa leje, rreth orës 02:00 të mëngjesit, te pika e karburantit SHELL, afër rrethit të autostradës në Veternik.

Pas kontrollit dhe gjetjes së armës, sipas dëshmitarëve, i njëjti ua kishte treguar policisë lejen për bartjen e armës, por ky dokument zyrtar nuk i kishte penguar ata që ta arrestojnë brutalisht dhe ta mbajnë deri rreth orës 05:00 të mëngjesit në stacionin policor, duke e privuar nga liria e lëvizjes.

Pas lirimit të tij, për shkak të posedimit të lejes për armën që i ishte gjetur, Policia e Kosovës si duket nuk ka hapur fare as rast. Kjo ngjarje, po ashtu, nuk është përfshirë as në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës si incident kriminal.

Media ka kontaktuar me biznesmenin H.B. dhe ai ka konfirmuar se është ndaluar dhe shoqëruar në stacionin policor për shkak të mbajtjes së armës, për të cilën ai posedon leje.

“Do të ankohem në Inspektoratin Policor të Kosovës për sjelljen joadekuate të pjesëtarëve të Policisë dhe për privimin e tim nga liria për mbi 3 orë”, ka thënë ai.

Media i ka dërguar pyetje edhe Policisë së Kosovës për të marrë më shumë informacione rreth këtij incidenti, mirëpo deri më tani nuk kemi pranuar asnjë përgjigje.

Ministria e Punëve të Brendshme, në fillim të këtij viti kishte treguar se janë rreth 29000 armë me leje në Kosovë, të cilat i posedojnë rreth 20 mijë persona.

Për t’u pajisur me leje të armës janë disa procedura që duhet ndjekur dhe një prej tyre është edhe trajnimi praktik e teorik.

Ekzistojnë disa leje për armëmbajtje, por të gjitha ato vlejnë vetëm brenda territorit të Republikës së Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat