Bislimi takon ministrin e Turizmit të Shqipërisë, i kërkon heqjen e taksës në Rrugën e Kombit

Lajme

Bislimi takon ministrin e Turizmit të Shqipërisë, i kërkon heqjen e taksës në Rrugën e Kombit

Më: 31 maj 2021 Në ora: 15:18
Foto nga vendi i ngjarjes

Në prag të hapjes së sezonës verore, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi ka pritur në takim ministrin e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë Blendi Klosi, e nga i cili ka kërkuar që të gjendet një zgjidhje qoftë edhe e përkohshme për eliminimin e taksës për Rrugën e Kombit.

Megjithatë, ministri i Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi foli vetëm për rëndësinë e promovimit të ofertës së përbashkët të turizmit mes dy vendeve, duke mos përmendur fare taksën prej 5 euro që paguhet për të shkuar në Shqipëri.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në të këtë takim kanë trajtuar tema që synojnë promovimin sa më të madh të bashkëpunimit të të dyja vendeve në fushën e turizmit.

Bislimi tha se kanë biseduar edhe për disa çështje që për shkak të masave anti-COVID shihen si barriera për fuqizimin e turizmit, siç është fakti se Kosova për disa shtete aplikon detyrimin e pajisjes me testin PCR.

Bislimi: Të gjendet një zgjidhje të paktën e përkohshme për eliminimin e detyrimit për të paguar

“Diskutuam edhe për hapat që pritet të ndërmerren nga ministritë tona gjegjëse në mënyrë që rruga nga Kosova deri në destinacionin e tyre në Shqipëri dhe anasjelltas të jetë sa më shumë e lehtësuar me sa më pak kontrolle eventuale apo barriera. Përfshirë këtu edhe kërkesën tonë që të gjendet një zgjidhje të paktën e përkohshme për eliminimin e detyrimit për të paguar për tunelin në Kalimash për arsye se kjo po shkakton pastaj vonesa për turistët tanë të cilët ia mësyjnë Shqipërisë e kjo sidomos shtohet në relevanca atëherë kur kemi të bëjmë me pushime afatshkurtra gjatë vikendit dhe jashtë sezonës", tha ai.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, tha se turizmi është një kontribuues i rëndësishëm për ekonominë dhe buxhetin e të dyja vendeve, derisa tha se do të bëjnë gjithçka që është e mundur që oferta turistike e përbashkët Kosovë-Shqipëri të jetë një realitet.

Klosi: Turizmi është një kontribuues i rëndësishëm në ekonominë dhe në buxhetet e vendeve tona

“Për të dy qeveritë tona besoj është një vendimmarrje e përbashkët që turizmi nuk është vetëm një kënaqësi, turizmi është një industri shumë e rëndësishme e të dy vendeve tona, por po ashtu është një kontribuues i rëndësishëm në ekonominë dhe në buxhetet e vendeve tona. Prandaj, do të bëjmë gjithçka është e mundur që oferta turistike e përbashkët Shqipëri-Kosovë të jetë një realitet. Ne do të duhet të kuptojmë se pasuria e madhe që na ka dhënë natyra në të dyja anët e bjeshkëve është një pasuri e të gjithë shqiptarëve. Deti është i të gjithë shqiptarëve ashtu si bjeshkët duhet të shijohen, vizitohen dhe të trajtohen nga gjithë shqiptaria. Shqiptarët e Shqipërisë, të këtej bjeshkëve, shqiptarët e Malit të Zi, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të çdo troje ku flitet shqip duhet ta shikojnë si ofertë të parë ofertën e përbashkët turistike Shqipëri-Kosovë. Së bashku me zëvendëskryeministrin e parë z.Besnik folëm qartë që kemi shumë detyra për të realizuar, kemi shumë përgjegjësi mbi veten për t’i bërë sa më të lehtë jetën jo vetëm pushuesve por edhe komunitetit të bizneseve”, tha ai.

Ministri Klosi foli edhe për rëndësinë e shfrytëzimit të turizmit malor, teksa tha se është e pafalshme që Kosova e Shqipëria kanë kufij edhe në bjeshkë.

Klosi: Është e pafalshme që ne të kemi kufij edhe në bjeshkë

“Bukuritë e pashfrytëzuara të natyrës sonë duhet të jenë sot një atraksion turistik, është e pafalshme që ne të kemi kufij edhe në bjeshkë, është e pafalshme që bjeshkët të cilat nuk ndahen, i ka krijuar perëndia aq të bukura të jenë të ndara me kufij administrativ. Prandaj, folëm qartë që parqet tona kombëtare në të dyja anët e kufirit të jenë parqe me rrugë, me shtigje, me lëvizje të lirë dhe natyrisht të jenë parqe që nuk e njohin kufirin administrativ”, tha ai.

Ndërsa, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Liburn Aliu, tha se të dyja vendet kanë të nënshkruara shumë memorandume, e që janë dakorduar që të intensifikohet puna për realizimin e synimeve që dalin nga ato marrëveshje.

Po ashtu, ai bëri të ditur se së bashku me autoritet në Shqipëro do të ndërmarrin një aksion për pastrimin e liqenit të Vërmicës gjatë muajit qershor.

Aliu: Në qershor do të kemi aksion pastrimi të përbashkët me Shqipërinë

“Do të kemi të bëjmë me grupe të përbashkëta të cilët do të bashkëpunojnë rreth çështjeve të parqeve kombëtare që ashtu siç e tha ministri janë të krijuara nga natyra por brenda tyre ekziston vija ndarëse administrative e kufirit e që bëhet shpesh herë edhe mund eventualisht të jetë pengesë për shqiptarët në të dyja anët, turistët e shumtë që do të mund të kalojnë andej. Prandaj, në bashkëpunimet tona në vijim ne do ë krijojmë grupet punuese që do të takohen mes vete dhe do të realizojnë synimet e këtyre memorandumeve të nënshkruara dhe po ashtu do të realizojmë aksionin për të cilin u zotuam që gjatë muajit qershor do të ketë të përfshirë nga të dyja anët e kufirit aktivistë të ndryshëm, njerëz nga administrata, e po ashtu edhe nga ushtritë nga ajo e Kosovës, Ushtria e Republikës së Kosovës dhe Ushtria e Republikës së Shqipërisë në aktivitetin i cili do të bëhet për pastrimin e liqenit të Vërmicës”, tha ai.

Në këtë takim morën pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi, ambasadori i Kosovës në Shqipëri Nait Hasani, po ashtu ishin edhe kryetarët e disa komunave të Shqipërisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat