Shërbimi i nënçmuar me pasoja tronditëse në shkollat e Kosovës

Lajme

Shërbimi i nënçmuar me pasoja tronditëse në shkollat e Kosovës

Më: 24 maj 2021 Në ora: 10:44
Foto ilustrim

Shërbimi psikologjik brenda institucioneve arsimore po konsiderohet i domosdoshëm, ani pse në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë funksioni i këtij roli nuk është në nivelin e duhur.

Nga rreth  2000 shkolla fillore dhe të mesme gjithsej në territorin e Republikës së Kosovës, sipas MASHT-it, aktualisht janë vetëm 57 psikologë të punësuar.

“Bazuar në të dhënat e Divizionit për arsim të përgjithshëm në MASHTI aktualisht janë 57 psikologë tё punësuar nё shkollat e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjien e MASHT.

E në disa prej shkollave ndonëse ekzistojnë psikologët, ky rol sipas nxënësve nuk ushtrohet.

Ene Aliu përfaqësues i nxënësve në shkollën “Sami Frashëri” në një prononcim për media Kosova ka thënë se ky gjimnaz ka një psikologe por që 95% e nxënësve nuk janë në dijeni pasi nuk është në vendin e punës.

“Në shkollat dhe gjimnazet e Prishtinës ku nuk bëhet e ditur që shkolla ka psikolog nuk ka asnjë lloj shtyrje nga profesorat e as nga drejtoria që nxënësit të vizitojnë psikologun dhe me pas sesione. Mundem shume lehtë me garantu që në Sami Frashër ku janë 12000 nxënësa ne kemi një psikologe që kurr nuk është aty, ose edhe mund të jetë në vendin e punës por që 95 përqind e nxënësve nuk e din që në si shkollë kemi një psikologe dhe nuk e din që ajo punon”.

Këshillat e domosdoshme sidomos për ngacmimet seksuale

Aliu tutje thotë se prezenca e psikologut në shkollë do të ndihmonte shumë në zhvillimin e përgjithshëm social të nxënësve.

“Mbase psikologu kish funksionu qysh duhet do të kishte qenë në vendin e punës dhe t’ia ofrojë ndihmën profesionale psikologjike nxënësve përmes sesioneve dhe këshllave. Shkolla së pari duhet të ketë një zyrë apo një klasë ku psikologu qëndron aty dhe nxësësit shkojnë aty. Kjo nuk ndodh në Sami Frashër, nëse kjo do të kishte qenë normal që edhe nxënësit do të kishin shku dhe psikologu do t'mund të kryente punën e tij si duhet duke dhënë këshilla e sidomos ne raport me ngacmimet seksuale”.

E sipas Aliu ky realitet ka bërë të riaktualizohet kërkesa e tyre për prezencën e psikologëve.

“Kërkesa jonë është që psikologët, shkollat që kanë psikolog të funksionalizohen tu caktohet një zyrë dhe të jene gjatë tërë kohës, nxënësit me ditë që psikologja është në shkollë edhe me mujtë mu qas tek ajo , kjo nuk egziston në Sami,  Për shkollat që s'kanë farë psikolog kërkesa jonë është që të ketë psikolog me u caktu një psikolog për secilën shkollë”, përfundon ai.

Derisa drejtori i shkollës "Ahmet Gashi" në Prishtinë, Haxhi Metaj, deklaron se shkolla ku ai udhëheq nuk ka psikolog ndonëse i njëjti ka ndarë zyrën e posaçme për psikolog.

“Shkolla jonë ka rreth 1500 nxënës dhe une si drejtor e konsideroj si të domosdoshme rolin e psikologut në shkollën tonë. Nga momenti që unë kam mar pozitën udhëheqëse në shkollë kam nda zyrën e posaqëm të psikologut tash mbetet vetëm edhe prezenca e psikologut, të gjitha procedurat që mua më takojn ti marr une nuk jam kursyer pasi e di shumë mirë rolin e psikologut në shkollën tone”, deklaroj drejtori.

Zotimi qeveritar, 500 psikologë dhe punëtorë socialë në shkollat e Kosovës.

Sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka roli i psokologut është neglizhuar shumë duke u trajtuar më shumë si luks se domosdoshmëri.
“Për një kohë shumë të gjatë është neglizhu roli i psikologut nëpër shkollat tona , është trajtu shëndeti psikologjik e mendor më tepër si luks sesa domosdoshmëri, zakonisht ajo çka mu personalisht mbon përshtypje se temat e tilla aktualizohen vetëm në momentin kur ka dhunë të raportuar ngacmim seksual apo akte tjera delikuente që shohim tek adoleshentet e që raportohen na duhet të bëjmë një përpjekje për paraandalim të këtyre akteve e jot ë reagojmë atëherë kur ndodhin mënyra më e mire e para qoftë crregullimet e shëndetit mendor, qoftë dhunën në mes bashkëmoshatarëve, aktet delikuente është përmes prezencës së psikologut në shkolla. Kjo mendoj se do të realizohet shumë shpejt me qeverinë Kurti meqë është e parapame involvimi 500 psikologëve dhe punëtorëve social nëpër shkolla që kishin mujt me I adresu të gjitha këto shqetësime për të cilat fola”, deklaron Uka.

Ndërkaq në një përgjigjie për media,  Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, bën me dije Brenda mandatit 4 vjeçar do të përfshihet punësimi i 400 pedagogëve, psikologëve dhe punëtorëve social në shkolla.

 “Ministria e Arsimit veçse e ka planifikuar në Grantin Specifik për Komuna punësimin e 400 pedagogëve, psikologëve dhe punëtorëve social në shkolla. Pra, në këtë mënyrë do të konsolidohen shërbimet psiko-pedagogjike në shkolla e që është mëse e nevojshme. Punësimi i tyre do të bëhet brenda mandatit 4 vjeçar”, thuhet në deklaratën e MASHT-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat