​Përkujtohet gjeneral major Shaban Shala, kritika adresohen për institucionet e vendit

Lajme

​Përkujtohet gjeneral major Shaban Shala, kritika adresohen për institucionet e vendit

Më: 5 janar 2021 Në ora: 13:51
Pamje nga ngjarja

Familjarë, miq e bashkëluftëtarë kanë bërë të martën homazhe pranë varrit të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjeneralit Shaban Shala, në përkujtim të 9-vjetorit të vdekjes së tij.

Të pranishmit adresuan kritika për institucionet e Kosovës, për shkak të gjendjes aktuale në të cilën ndodhet varri i Shaban Shalës.

Agron Krasniqi, vëllai i luftëtarit Brahim Krasniqi, tha se Shaban Shala është një nga figurat më të shquara të dekadave të fundit, porse edhe në 9-vjetorin e vdekjes së tij, institucionet e vendit nuk i kanë rregulluar varrin. Ai shtoi se do të ishte e ndershme që përfaqësues të institucioneve të merrnin pjesë së paku në homazhe për të nderuar jetën dhe veprën e gjeneralit.

Krasniqi: Institucionet nuk i ndërtuan varrin Shaban Shalës

“Të vijmë pas 9 vitesh dhe të gjejmë varrin e gjeneral majorit në këtë gjendje, turp është për mua, turp është për institucionet tona shtetërore[...]Duke e njohur gjeneral major Shaban Shalën, ndonjëherë i bëj pyetje vetes dhe them se ‘a mos dikush e paska dashur të vdekur apo edhe i vdekur po i pengon dikujt, pse nuk është i rregulluar kështu varri i tij’. Unë nuk e kisha menduar asnjëherë se ndonjë nga prijësit e luftës së UÇK-së, për një grusht vota të shkojë dhe të vizitojë familje të ndryshme e mos të shkojë të vizitojë familjen e Shaban Shalës, sidomos në këto ditë kur e përkujtojmë”, tha ai.

Bashkëveprimtari Berat Luzha tha se Shaban Shala me luftën e tij dhe kontributin e pashoq në çështjen kombëtare, e ka treguar veten në piedestalin më të lartë të atdheut.

Luzha: Shaban Shala ishte një ndër personalitet më të larta të Kosovës

“Shabani ishte një nga personalitet më të larta të Kosovës, i cili ka qenë i devotshëm në çështjen kombëtare, një atdhetar shumë i përkushtuar për çështje dhe i sprovuar në të gjitha format në luftë për liri. Ai edhe si luftëtar ilegal, edhe si i burgosur politik, edhe si luftëtar i lirisë, e ka treguar veten në piedestalin më të lartë të atdheut dhe meriton respektin dhe nderimin tonë”, tha Luzha.

Në emër të familjes Shala, të pranishmëve iu drejtua Elmi Shala, i cili shprehu mirënjohje për nderimet që iu bënë vëllait të tij.

Shala: Uroj që viteve tjera të nderojmë më mirë jetën e luftëtarëve tonë

“Inshalla viteve të ardhshme jemi më të organizuar, nderojmë më mirë dhe siç duhet të gjithë që kanë dëshmuar veten dhe kanë sakrifikuar për lirinë e sotit”, u shpreh ai.

Gjeneral major Shaban Shala vdiq më 5 janar të vitit 2012.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat