Ende s’ka datë për takimin e ardhshëm, BE-ja nuk tregon a do të diskutohet rreth Asociacionit

Lajme

Ende s’ka datë për takimin e ardhshëm, BE-ja nuk tregon a do të diskutohet rreth Asociacionit

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 15:31
foto ilustrim

Kosova dhe Serbia, për shkak të Asociacionit tash e sa kohë nuk janë takuar në Bruksel në kuadër të dialogut.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, javën e kaluar qëndroi për vizitë zyrtare në Prishtinë e Beograd dhe qëllimi i vizitës së tij ishte zhbllokimi i procesit të dialogut.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tash e sa kohë nuk janë takuar në Bruksel për dialogun, kjo për shkak të çështjes së Asociacionit.

Përderisa Kosova këtë e sheh si temë të mbyllur, Serbia po insiston që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të jetë me kompetenca ekzekutive.

E emisari i BE-së, Lajçak, gjatë vizitës së tij në Kosovë e Serbi kërkoi edhe ndryshime kushtetuese nga të dyja vendet dhe kjo deklaratë e Lajçakut sjelli shumë reagime në Kosovë.

Mirëpo, pavarësisht qëndrimit të tij në Kosovë e Serbi ende nuk dihet se kur do të mbahet takimi i radhës në Bruksel në kuadër të dialogut.

Zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano, ka thënë për lajmi.net, se ende nuk ka ndonjë datë të saktë se kur do të mbahet takimi i radhës i nivelit të lartë politik apo i grupit punues në Bruksel në kuadër të dialogut.

Sipas tij, në momentin që do të ketë një kohë të përshtatshme atëherë edhe do të mbahet takimi dhe se në Bruksel janë duke u bërë gati përgatitjet për takimin e radhës, kurdo që ai mund të  mbahet.

“Ne jemi në përgatitje e sipër rreth takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut. Kurdo që është një kohë e përshtatshme ne do të caktojmë një datë rreth takimeve të ardhshme, qofshin ato të nivelit të lartë politik apo grupit të ekspertëve”, ka thënë Stano për lajmi.net.

I pyetur se a mund të jetë përsëri temë diskutimi çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe se cili mund të jetë kompromisi që do të mund të arrihet rreth kësaj marrëveshjeje, Stano ka thënë se Lajçak ka sqaruar gjithçka në lidhje me këtë çështje gjatë vizitës së tij në Kosovë e Serbi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat