Fajon: Pres që Këshilli i BE-së ta ndryshojë vendimin për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Lajme

Fajon: Pres që Këshilli i BE-së ta ndryshojë vendimin për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Më: 31 tetor 2019 Në ora: 17:15
Tanja Fajon

Parlamenti Evropian do të vazhdojë ta mbështesë politikën e zgjerimit të BE-së dhe do t’i dërgojë sinjal pozitiv Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë para Samitit të BE-së-Ballkani Perëndimor në Zagreb, deklaroi sot kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Evropian në Komisionin Parlamentar për stabilizim dhe asociim të Serbisë dhe Bashkimit Evropian, Tanja Fajon në takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd.

“Parlamenti Evropian do të vazhdojë aktivisht ta mbështesë politikën për zgjerim të BE-së dhe të angazhohet për qasjen serbe si mënyrë më e mirë për progres në integrimet evropiane”, deklaroi Fajon, duke shtuar se pret që Këshilli Evropian ta ndryshojë vendimin e tij për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe t’u dërgojë sinjal pozitiv të dyja vendeve para samitit BE-Ballkani Perëndimor në Zagreb.

Siç bëri të ditur Kabineti i presidentit serb pas takimit, Fajoni ka deklaruar se Parlamenti Evropian angazhohet për zgjerim të BE-së dhe se Serbia është njëra ndër kandidatët më seriozë, duke i uruar “për sukseset ekonomike dhe për mundësinë që Parlamenti Evropian të ndërmjetësojë në dialogun midis pushtetit dhe opozitës”.

Fajon, sipas kumtesës, ka shprehur shqetësim për lirinë e mediave në Serbi, por edhe i ka uruar vendit për hartimin e strategjisë mediatike.

Presidenti serb në takimin ka thënë se “Serbia është e përkushtuar në paqen dhe stabilitetin në rajon, ndërsa bashkëpunimi rajonal, përforcimi i marrëdhënieve me fqinjët dhe politika e vazhdueshme për pajtim janë prioritete  për politikën e jashtme”, duke shtuar se Beogradi i jep rëndësi të madhe Procesit të Berlinit, “rëndësia e të cilit shihet në mbështetjen e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor përmes projekteve dhe masave konkrete”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat