Raportuesi për Serbinë në PE: Kërkojmë bisedime të shpejta dhe konkrete për Kosovën

Lajme

Raportuesi për Serbinë në PE: Kërkojmë bisedime të shpejta dhe konkrete për Kosovën

Më: 31 tetor 2019 Në ora: 11:13
Vladimir Bilcik

Raportuesi i ri për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilcik ka folur për nevojën e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Funksionimi i demokracisë, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore kanë qenë dhe do të jenë përcaktuesit kryesorë të përparimit të Serbisë drejt anëtarësimit në BE.

Në të njëjtën kohë, ne duhet të shohim përparim praktik në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, ka thënë për portalin serb “Blic”, Vladimir Bilcik, raportuesi i ri i Parlamentit Evropian për Serbinë.

Në intervistën e tij të parë, shtatë ditë pas emërimit në pozitë, ai ka folur për zgjedhjet e ardhshme në Serbi, deklaratat e fundit nga politikanët e Kosovës, emërimin e Richard Grenell dhe disa tema të tjera.

“Funksionimi i demokracisë, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore kanë qenë gjithmonë dhe do të jenë gjithmonë përcaktuesit kryesorë të përparimit të Serbisë drejt anëtarësimit në BE”, deklaroi Bilcik.

“Në të njëjtën kohë, ne duhet të shohim përparim praktik në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës. Kur them se duhet të zhbllokohet, dua të them një impuls të ri në diskutimet e nivelit të lartë. PE ka kërkuar vazhdimisht një fazë të re në dialog, dhe përshpejtimin e ritmit të negociatave. Shpresoj që udhëheqja e re politike në Prishtinë do të jetë në gjendje të kontribuojë në këtë proces.”, shtoi ai.

Bilcik ka komentuar edhe deklaratën nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili ka paralajmëruar heqjen e taksës, nëse Serbia heq dorë nga fushata e saj për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. “Në mënyrë që të shënojmë përparim në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, dëshira e madhe politike duhet të shfaqet nga të dyja palët. T’i japim pak kohë zotëri Kurtit që ta tejkalon retorikën e fushatës zgjedhore në Kosovë”, u shpreh Bilcik.

Ai e komentoi edhe emërimin e Richard Grenell si i dërguar special i SHBA-së për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, transmeton lajmi.net.

“Jam i lumtur që aleatët tanë po tregojnë vëmendje gjithnjë e më të madhe për rajonin, por edhe dialogun. Një partneritet i fortë BE-SHBA në Ballkanin Perëndimor është një shenjë e mirë. Mezi pres të punoj me të, dhe gjithashtu me Matthew Palmer, sa herë që kemi mundësi të inkurajojmë rezultate konkrete të përbashkëta nga dialogu Beograd-Prishtinë”, theksoi ai.

“Unë nuk mendoj se zgjedhjet në SHBA kanë të bëjnë me ndonjë afat kohor për dialog. Ajo që është thelbësore për perspektivën evropiane si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën është të gjesh një marrëveshje reciproke të pranueshme dhe ligjërisht të detyrueshme. Ne duhet të gjejmë zgjidhje praktike në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat