Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, është i interesuar që të garojë për postin e të parit të partisë përsëri.
Megjithatë, Sejdiu ka thënë se ende nuk ka paraqitur kandidaturë formale.
Sejdiu ka thënë në RTV Dukagjini se ishte i interesuar të garonte për kreun e LDK’së edhe më 2015, por se e kishin penguar.
Ai ka shprehur frikën e tij se kryetari aktual i LDK’së, Isa Mustafa, mund t’i eliminojë konkurrentët e tij në zgjedhjet e brendshme të 3 gushtit.
Sejdiu, ish-president i Kosovës, ka thënë se kuota prej 50 për qind plus 1 votë nga totali i votave për t’u nominuar për kandidat për kryetar të LDK-së në parim është antikushtetuese.
“Mendoj që është një normë diskutabël që në esencë është antikushtetuese. Kjo normë përjashton konkurrencën e lirë për të zgjedhë dhe për t’u zgjedhur e sidomos për këtë të dytën”, është shprehur ai.
Sipas tij, një situatë e tillë duhet të evitohet në këto zgjedhje të LDK’së.
“Nuk e di sa do të jetë numri final i konkurrentëve për kreun e LDK’së, por e di se një pjesëtim eventual që vjen në bazë të kësaj norme, kufizon të drejtën e të tjerëve në një garë të barabartë”, ka vlerësuar ai.