Qytetarët në Kosovë: Zgjedhjet në Shqipëri, të dëmshme pa opozitën

Lajme

Qytetarët në Kosovë: Zgjedhjet në Shqipëri, të dëmshme pa opozitën

Më: 30 qershor 2019 Në ora: 15:14
Ilustrim

Në 30 vitet e fundit, zgjedhjet e 30 qershorit janë të parat në Shqipëri, në të cilat opozita nuk merr pjesë. Qytetarët në Kosovë po i shohin si zgjedhje komuniste, e të dëmshme për vendin. Për çka sipas tyre, Qeveria e Parlamenti do të duhej të ishin dakorduar për datën e zgjedhjeve, sepse në këtë mënyrë sipas tyre po e dëmtojnë popullin.

Selim Neziraj për KosovaPress, thotë se këto zgjedhje të cilat po mbahen në Shqipëri, për zgjedhjen e krerëve të bashkive, është një lloj përzierje tek populli.  

Neziraj: Është një lloj përzierje tek populli

“Unë së pari besoj që kjo duhet të jetë një vendim komplet i të gjithë Qeverisë, i të gjithë shtetit, Parlamentit që të bien në ujdi, çfarë datash të caktojnë, por përderisa nuk janë në ujdi, atëherë besoj që në fakt kjo është një lloj përzierje edhe tek populli, nuk dinë kë ta ndjekin, kujt t’i besojnë. Është vetëm një ngatërresë mes popullit”, thotë ai.

Bardhi i cili është qytetar i Shqipërisë, thotë se këto zgjedhje nuk janë të ndershme.

Bardhi: Nuk ka zgjedhje të ndershme

“Shumë të dobëta, nuk ka zgjedhje pa parti, vetëm Partia Socialiste nuk ka zgjedhje të mira dhe të ndershme, vetëm nëse janë më të bashkuara mund të ketë drejtësi...Duhet të dalin por nuk ka zgjedhje të ndershme, vetëm një nuk ka se çfarë të bëjë”, thotë ai.

E Izet Bilalli, këtë e quan si çmenduri kombëtare, për çka thotë se nuk do të duhej të mbaheshin fare.

Bilalli: Kjo është një çmenduri kombëtare

“Për mendimin tim nuk është dashur të mbahen, arsyeja sepse nuk ka marrëveshje mes partive të cilat garojnë mes vete. Kjo është një monizëm, një parregullësi, mos ta quaj një çmenduri kombëtare... Me siguri jo, në këtë mënyrë jo, është dashur edhe qytetarët atje të organizohen dhe të mos dalin, nuk është zgjedhje kjo demokratike, është moniste për mua”, shprehet ai.

Për këtë çmenduri kombëtare, siç e quan ai, thotë se fajtor janë vet organet qeverisëse.

Dikush tjetër thotë se këto zgjedhje janë turp për Shqipërinë.

Hetem Ferizi: Zgjedhjet i ka bërë Edi Rama

“Zgjedhjet i ka bërë Edi Rama, nuk bëhen zgjedhjet vetëm parti, kjo është marre për Shqipërinë, 100 e sa vjet shtet. Kjo është një marre e madhe për popullin shqiptarë”, thotë ai.

Se këto zgjedhje janë të dëmshme, po e thotë edhe Avdi Tasholli.

Tasholli: Këto zgjedhje janë të dëmshme

“Shumë të dëmshme, Shqipërinë kush është duke e udhëhequr tmerr.... absolut jo, kurrë jo, si kanë mundësi me votu”, ka thënë ai.

Ndryshe, sot në Shqipëri po mbahen zgjedhjet vendore për 61 kryetarët e bashkive. Në këto 30 vjet,  këto janë zgjedhjet e para ku opozita më e madhe në vend nuk merr pjesë.

Kjo datë e sotme, është shoqëruar me debate dhe përplasje të ashpra mes palëve, qeverisë, opozitës, presidentit, por edhe ndërkombëtarëve, që kanë mbajtur qëndrime të forta dhe kanë mbështetur që zgjedhjet tw zhvillohen sot, pavarësisht se kreu i shtetit ka dekretuar një ditë tjetër, 13 tetorin për zgjedhjet lokale në konsultime vetëm me partitë e opozitës, pasi kryeministri Rama nuk i shkoi në takim.

Këto zgjedhje i kanë kundërshtuar opozita sot përmes një proteste, ku qytetarët kanë bërë thirrje kundër diktaturës dhe kryeministrit Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat