Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së lëndës narkotike në kryeqytet. Finalizimi i operacionit antidrogë i koduar “Tattoo”, ka çuar në sekuestrimin e 1 kg e 111 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit cannabis.
Për drogën u arrestuan dy shtetas, Armando Behari, 24 vjeç, banues në Tiranë dhe Xhevit Bogdani, 21 vjeç, banues në Përrenjas.
Si dhe u procedua në gjëndje të lirë shtetasi O. Gj., 29 vjeç, banues në Tiranë.
Policia thotë se "për tre të rinjtë disponohej informacion se në bashkëpunim me njëri-tjetrin shpërndanin lëndë narkotike në zonën e “Ali Demit” dhe “Martenitetit të Ri” dhe gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në studion e tatuazheve në pronësi të shtetasit Armando Behari, ku i pranishëm në studio ndodhej edhe shtetasi Xhevit Bogdani, u gjet një çantë me lëndë të dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe një sasi fishekësh të kalibrit të ndryshëm".
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Xhevit Bogdani, i cili jetonte me shtetasin O. Gj., është gjetur një sasi tjetër lënde e dyshuar narkotike, si dhe një dorezë metalike në kushtet e armës së ftohtë e cila i përkiste shtetasit O. Gj.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale :
- 1 kg e 111 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa
- 66 fishekë të kalibrit të ndryshëm
- 2 aparate celularë
- 1 dorezë metalike
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve A. B., dhe Xh. B., për veprat penale “Prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim”, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak e kryer në bashkëpunim” dhe për veprën penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta” në ngarkim të shtetasit O. Gj.