Elbasan, kapet i treti i grupit të tritolit, të porositur me pagesë

Kronikë e zezë

Elbasan, kapet i treti i grupit të tritolit, të porositur me pagesë

Më: 3 qershor 2017 Në ora: 23:50
ilustrim

Arrestohet i dyshuari i tretë si i lidhur me vendosjen e lëndës eksplozive për dy pronarët e lokaleve në Elbasan, shkruan “Panorama”

Astrit Sinanaj, 38 vjeç, banues në Tiranë, akuzohet si bashkëpunëtor i shtetasve Gentian Kllogjri dhe Thanas Thomai. Sinanaj u prangos nga Krimet e Rënda në Drejtorinë e Policisë Elbasan, pasi dyshohet se ka marrë pjesë në vendosjen e tritolit poshtë makinës së Fatmir Lumshit dhe në lokalin e Besnik Brakës, ngjarje të ndodhura më 6 dhe 22 maj. Nga ana tjetër, bëhet e ditur se edhe pse janë ndaluar nga Policia si të dyshuar për vendosjen e eksplozivit, asnjë nga tre të ndaluarit nuk e ka pranuar këtë akuzë. Ato e kanë mohuar faktin se kanë qenë autorë të dy ngjarjeve

Pavarësisht kësaj, ndaj tyre rëndojnë akuzat “shkatërrim i pronës me eksploziv, mbetur në tentativë” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Ndërsa policia dyshon se në të dyja rastet tritoli mund të jetë vendosur nga i njëjti grup që funksionon me porosi kundrejt pagesës. Por hetimet vazhdojnë për këtë rast dhe vetë Policia është e rezervuar në dhënien e informacioneve. Mësohet se i arrestuari i dy ditëve më parë, Gentian Kllogjri, është lënë i lirë dje nga Gjykata e Elbasanit gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë për shkak të mungesës së provave. Ndaj tij është caktuar masa “detyrim paraqitjeje”. Ndërsa për të arrestuarin tjetër, Thanas Thoma, Gjykata pritet të vendosë në ditën e sotme. Vendosja e eksplozivit poshtë automjetit të Fatmir Lumshit dhe në lokalin e Besnik Brakës, sipas Policisë, ka ardhur për shkak të konflikteve me motive çështje pronësie. Palët e konfliktuara me këta dy shtetas dyshohet se kanë porositur vendosjen e eksplozivit për ta si mjet presioni. Lumshi është pronar i një lokali nate në Elbasan, ndërsa për shumë vite ka jetuar si emigrant në Itali. Ndërsa Braka është pronar i një restoranti në qendër të Elbasanit dhe rezulton se është person me precedentë penalë, pasi më parë është dënuar me 14 vite burg për trafik droge, municionesh dhe armëmbajtje pa leje. Policia nuk përjashton mundësinë që konfliktet e dy pronarëve të lokaleve mund të kenë lidhje edhe me të kaluarën e tyre jashtë Shqipërisë. Braka ka jetuar për një periudhë kohe në Gjermani, prej nga ku u ekstradua në vitin 2013.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat