Një 45 vjeçar ka denoncuar në Polici babanë dhe vëllain e ishtë fejuarës, pasi pretendon se në mënyrë të vazhdueshme e kërcënojnë, duke i thënë se do ta vrasin, raporton “Panorama”. foto ilustruese Ngjarja është kallëzuar dy ditë më parë në Komisariatin e Rrogozhinës, nga shtetasi me iniciale B.D.
Burimet thanë se menjëherë pasi i është marrë deklarim të dëmtuarit, është regjistruar procedim penal në ngarkim të dy të dyshuarve, shtetasve me iniciale S.M. e M.M., 61 e 28 vjeç, babë e bir, të cilët më pas janë thirrur për t’u marrë në pyetje nga Policia. Sipas pretendimeve të 45vjeçarit, ai ka qenë i fejuar për 6 muaj me vajzën e shtetasit M.M., nga e cila është ndarë dy muaj më parë, edhe me marrëveshjen e saj. Por ky fakt nuk është pranuar nga familjarët e vajzës 32vjeçare, të cilët vazhdimisht i kanë kërkuar atij dhe së bijës që të martoheshin dhe të mos e diskutonin më çështjen e ndarjes.
Megjithatë, kur kanë kaluar disa javë nga ndarja dhe B.D. nuk ka pranuar të vazhdonte lidhjen me ishtë fejuarën, atëherë kanë nisur kërcënimet nga ana e familjarëve të saj.
Sipas kallëzimit të të dëmtuarit, herë pas here e marrin në telefon, babai ose vëllai i vajzës me të cilën ka qenë i fejuar dhe e kërcënojnë duke i thënë se do ta vrasin, në rast se nuk martohet me vajzën. Madje ai i ka kërkuar Policisë që të zbardhen tabulatet telefonike, pasi të gjitha bisedat do t’i vërtetojnë pohimet e tij, të cilat janë mohuar nga ana e dy të dyshuarve.