‘Far West’ në Kamëz, si nisën atentatet e vrasjet mes 2 fiseve

Kronikë e zezë

‘Far West’ në Kamëz, si nisën atentatet e vrasjet mes 2 fiseve

Më: 22 tetor 2016 Në ora: 17:47
ilustrim

Report TV zbardh kërkesën e Prokurorisë për dënimin me burgim të përjetshëm të Gazmir Dacit i akuzuar për vrasjen e Valmir Kolaverit në nëntor të 2015 në Kamëz. Në dosje dokumentohen të gjithë konfliktet mes dy fiseve që sollën 1 të vdekur, 2 të plagosur, 2 atentate dhe 4 te arrestuar.

E ngjashme me skenat e “Far West”, konflikti i 1 viti më parë midis dy të rinjve të fisit Daci e Kolaveri që drejtonin fuoristradat BMW X5 në bulevardin ”Demokracia” në Kamëz do të sillte hasmërin midis tyre.

Report Tv ka siguruar pretencën e Prokurorisë ku pak ditë më parë kërkoi burgim të përjetshëm për autorin e vrasjes së Valmir Kolaverit dhe plagosjen e Robert Kolaverit.

Por si nisi ky konflikt që prodhoi 1 viktimë, 2 të plagosur, 1 atentat me snajper, një atentat me tritol dhe 4 të arrestuar.

Kur ora shënonte 18:00 pasditen e 4 Nëntorit 2015 Gazmir Daci dhe Saimir Kolaveri janë shkëmbyer në rrugë teksa drejtonin secili fuoristradat e tyre luksoze.

Pasi kanë ndaluar makinat ata janë konfliktuar verbalisht me fjalë fyese dhe fizikisht. Gazmir Daci është larguar për tu kthyer pas një telefonate të tensionuar që ka zhvilluar me Valmir Kolaverin.

Gazmir Daci rikthehet sërish në bulevardin ”Demokracia” dhe aty ka gjetur vëllezërit e Saimirit, Valmir dhe Robert Kolaveri. Ka nxjerrë armën ka qëlluar duke lënë të vdekur Valmirin e të plagosur Robertin.

Nga ai momenti ky konflikt ka degraduar dhe sipas prokurorisë është përfshirë dhe Xhelal Daci babai i Gazmir Dacit që sot akuzohet për armëbajtie pa leje dhe për të është kërkuar 6 vite burgim.

Gazmir Daci dhe pse kishte kryer një krim të rëndë me një të vdekur dhe një të plagosur nuk ka pranuar të dorëzohet por për plotë 48 ditë ai ka qëndruar në arrati nga 4 nëntori kur qëlloi me armë ndaj vëllezërve Kolaveri.

Më 22 dhjetor 2015 siç do të shikoni në këto pamje ai arrestohet në ambjentet e një hoteli në autostradën Tiranë-Durrës ku në brez ju sekuestrua dhe arma e krimit.

9 muaj nga arrestimit i Dacit hakmarrja do të prodhonte një tjetër ngjarje. Më 1 gusht 2016 policia e Tiranës do të zbardhte atentatin me snajper në burgun e Vaqarrit ndaj Gazmir Dacit.

Daci mundi t’i shpëtoi ekzekutimit ndërsa në pranga u vendos Ergys Kolaveri vëllai i Valmirit të vrarë e Robertit të plagosur si dhe bashkëpunëtori i tij Enea Cenka.

Gjykata e Tiranës pritet të shprehet me vendim gjatë nëntorit për këtë rast pas pretencës së prokurorisë, ndërsa pas më shumë se 1 viti ky konflikt mbetet i hapur dhe ka prodhuar nga një kapriço në luksin e fuoristradave 1 viktimë, 2 të plagosur, 1 atentat me snajper, një atentat me tritol dhe 4 të arrestuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat