Lezhë, maskat ekzekutojnë grumbulluesin e qumështit

Kronikë e zezë

Lezhë, maskat ekzekutojnë grumbulluesin e qumështit

Më: 28 shtator 2016 Në ora: 09:24
Ajet Qokthi humbi jetën në një atentat të mistershëm te “Shkambi i Kuq” në Torovicë

“Ishin dy vetë të maskuar. Na zunë pritë  dhe qëlluan me breshëri kallashnikovi.  Jam munduar të eci me shpejtësi për t’iu  shmangur plumbave, por kur kam ndaluar  kam parë që Ajeti ishte i plagosur. S`kam parë më asgjë dhe s`di më asgjë”! Këto  janë fjalët e Agron Qokthit, të mbijetuarit  të një prite të çuditshme që iu ka ndodhur  mëngjesin e djeshëm në Torovicë të  Lezhës, teksa Ajeti, vetëm 26 vjeç, djali  i xhaxhait të Agronit ka ndërruar jetë.

Policia, nuk ka pista e as autorë. Po ashtu  as i mbijetuari. Janë shoqëruar rreth 30 persona të cilët pas dhënies së dëshmive  janë lënë të lirë, ndërsa sipas të dhënave  të para dyshimet flasin për ndonjë tentativë  grabitjeje. Automjeti, një kamionçine  e modifikuar për të transportuar  mall është qëlluar nga ana e pasagjerit,  ndërsa mjeti ka qenë në ecje e sipër dhe  në sediljen e parë ka qenë Ajeti, ndërsa  në timon ka qenë Agroni. Ende nuk dihet  se si ka mundur t`iu shpëtojë plumbave  36-vjeçari, ndërsa bëhet e ditur se  26-vjeçari ka marrë disa plagë, pasi është  qëlluar drejt e në mjet. Rrëfimi i Agronit  nuk ka ndihmuar aspak në hetuesit e çështjes, ndërsa trupi i pajetë i Ajetit i  është kthyer familjes, që ditën e sotme do t`i japin edhe lamtumirën.

Ngjarja

Referuar të dhënave të para të Policisë së  Shtetit bëhet me dije se ngjarja e rëndë  ka ndodhur rreth orës 05.30 të mëngjesit  të djeshëm në vendin e quajtur “Shkambi  i Kuq”. Agron Qokthi ka marrë me vete në  drejtim të Torovicës kushëririn e tij, Ajetin  dhe janë nisur si çdo ditë për të mbledhur  qumështin nëpër zonat që ata kanë lidhur  kontratat me familje për t`iu marrë  qumështin çdo ditë. Kështu, sipas të dhënave  janë një sërë familjesh në këtë zonë,  pra në Tororvicë, që janë në lidhje biznesi me Qokthin dhe shesin qumështin prej  shumë vitesh.

Sipas të dhënave policore  saktësohet se djemtë kishin një baxho të  tyren dhe punonin për të ndërsa disa vite  më parë ata kanë qenë të punësuar te një  prej fabrikave më të njohura në zonën e  Veriut për mbledhjen dhe përpunimin e  qumështit dhe të produkteve të bulmetit. Agron dhe Ajet Qokthi sapo kishin nisur  punën dhe po hynin në zonë ku kishin për  të ngarkuar bidonët me qumësht kur janë  përballur me dy persona të maskuar  dhe të armatosur. Të paktën kështu ka  thënë i mbijetuari dhe personi i vetëm që  di diçka në lidhje me momentin fatal të  vrasjes së 26-vjeçarit, Ajet Qokthi. Pasi  është qëlluar me breshëri kallashnikovi,  Agroni e ka lëvizur me shpejtësi mjetin  dhe ka mundur të shkëputet disa metra  për t`iu larguar atentatorëve, ndërsa  më pas ka lajmëruar policinë dhe ambulancën.

Si përherë dhe në çfarëdo  lloj ngjarjeje, të dyja kanë mbërritur  me vonesë, pro kryesisht ambulanca  ka mbërritur rreth një orë me vonesë,  kohë kur djali kishte ndërruar jetë. Më  pas policia ka rrethuar zonën, ka ngritur  postblloqe por ka qenë shumë vonë.  Autorët kanë mundur të largohen  jo vetëm të ndihmuar nga errësira por  madje edhe nga terreni i njohur prej  tyre. Agroni nuk ka mundur të fiksojë  dot asnjë detaj në lidhje me dy personat, nëse janë larguar në këmbë apo kanë  pasur ndonjë mjet, ndërsa ai ka mundur të shquajë vetëm faktin se kanë qenë të maskuar. Policia ka krehur zonën, ka  nxjerrë nga dosjet e policisë së Lezhës  emrat e personave që janë me precedent në fushën e grabitjes në të gjithë zonën, ka bërë shoqërimet e para, shoqërime që  kanë vijuar për gjatë gjithë ditën dje dhe  më pas kanë nisur edhe verifikimet e para  në lidhje me ndonjë konflikt të mundshëm  që mund të kenë pasur djemtë.

Rrëfimi i të mbijetuarit  

Agron Qokthi, sipas të dhënave të policisë,  ka rrëfyer se puna për mbledhjen e  qumështit në atë zonë ka qenë e përditshme.  Edhe tre vite më parë, sipas tij, në  të njëjtin vend janë qëlluar për grabitje,  pasi ajo është një zonë në fakt është totalisht  jashtë kontrollit të policisë dhe një  zonë e gjitha në errësirë. Agroni në pretendimet  e tij të ngritura në policia ka  saktësuar se nuk kanë asnjë konflikt me  askënd, as ai dhe as fisi i tij.

Gjithashtu ka mohuar në mënyrë kategorike që edhe i  ndjeri, Ajeti të jetë konfliktuar me ndonjë  person. Referuar të dhënave të para,  policia ka ngritur që në fillim dyshimin e  ndonjë konkurrence mes tij dhe ndonjë  personi tjetër që bën të njëjtën punë në  zonën e Trushit të Shkodrës, por Agroni  ka mohuar pasi ai dhe familja e tij që e  ushtronin atë aktivitet prej disa vitesh  nuk kanë pasur asnjëherë asnjë lloj konflikti  me persona të tjerë. Vetë 36-vjeçari  ka ngritur dyshime se janë qëlluar për tu  grabitur, ndërsa policia dhe prokuroria  kanë nisur hetimet edhe në disa pista të  tjera që lidhen me faktin që mund të kenë  shërbyer si shkak për pritën në të cilën  ranë dy kushërinjtë nga Trushi. 

Hetimet dhe dyshimet

Përveç pistës së grabitjes, një nga  pistat me të cilët policia po merret gjerësisht që orëve të para të ditës  së djeshme, mësohet se Prokuroria  ka kërkuar nga policia e Shkodrës  të hedh dritë mbi të shkuarën e dy  personave që kanë ra në pritën e dy  personave të maskuar dhe të armatosur  ditën e djeshme. Ajet Qokthi,  26 vjeç, nga Trushi, ka ndërruar jetë  pasi ka marrë disa plagë ndërkohë  që as viktima dhe as kushëriri i tij  nuk kanë qenë asnjëherë objekt i  policisë dhe nuk kanë pasur asnjëherë  precedent në fushën e krimit.

Njëkohësisht është mësuar se ditën  e djeshme dy djemtë nuk kishin lekë  me vete, pasi saktësohet se furnizuesit  i paguajnë në një datë të caktuar  që nuk ka qenë dita e djeshme. Megjithatë policia dhe njëherësh  edhe prokuroria kanë dyshime se  personat që kanë qëlluar mbi dy të  rinjtë mund të kenë qenë edhe trafikantë droge të cilët mund të kenë  qenë duke lëvizur në atë zonë dhe  mund të kenë qëlluar për të pastruar  zonën për shkak të frikës së  ndonjë përplasjeje me armë. Sipas  të dhënave, asnjë nga të shoqëruarit  e djeshëm nuk ka dhënë asnjë  detaj të rëndësishëm për hetimin,  ndërkohë që pritet të merren në pyetje  familjarët e të dy djemve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat