Gashi: Kemi bërë histori!

Futboll

Gashi: Kemi bërë histori!

Më: 23 qershor 2016 Në ora: 14:51
Shkëlzen Gashi

Shqipëria me pak fat sportiv do të arrinte edhe më lart në Kampionatin Evropian në futboll. Kuqezinjtë janë eliminuar në fazën e grupeve, por mbi të gjitha kanë mahnitur me lojërat që bënë në Francë. Sulmuesi Shkëlzen Gashi ka luajtur vetëm disa minuta në ndeshjen e parë të Grupit A, në “Euro 2016”, kundër Zvicrës, kur pati në këmbët e tij atë mundësi të artë për të barazuar në fund. Nëse do të kishte ndodhur kështu, sot do të ishim të kualifikuar për në fazat me eliminim direkt të turneut të Francës. Sidoqoftë, të gjithë janë të kënaqur nga paraqitja e kuqezinjve, nga imazhi i mirë që krijuan për kombin tonë. Gashi e ka përjetuar në mënyrën e tij këtë eksperiencë të paharrueshme, ndërsa disa emocione kërkon t’i ndajë edhe me tifozët, përmes një statusi në faqen e vet në Facebook: “Ëndrra ime dhe juaja u bë e vërtetë. Që Shqipëria të marrë pjesë në një Kampionatin Evropian, ky ishte një sukses historik! Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë ata, që ishin përgjegjës e meritorë për këtë, sidomos edhe juve, tifozëve të mrekullueshëm kuqezinj! Askush nuk ka menduar që ne do të merrnim pjesë në finalet e një kompeticioni të tillë dhe sigurisht jo e jo, që ne do të festonim me një fitore! Ne duhet të jemi me të vërtetë krenarë për këtë. Nuk luajti asnjëherë rol se cilët ishim dhe nga vinim. Ne kemi mbajtur shqiponjën në gjoks dhe i kemi treguar botës se jemi Një! Të gjithë këtë e kemi arritur së bashku! Dhe Ju keni bërë shumë për këtë, në familje dhe stadiume! Ju keni qenë fantastikë! Këtë përvojë dhe gëzim do ta marrim në jetën e përditshme dhe pas shumë viteve do ta tregojmë për ‘Euro 2016’ në Francë. Një faleminderit e madhe për Ju dhe mos harroni: Ne kemi bërë histori!”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat