Dunga bëhet me vra veten!

Futboll

Dunga bëhet me vra veten!

Më: 13 qershor 2016 Në ora: 12:24
Carlos Dunga

Askush nuk e kishte imagjinuar se kombëtarja e Brazilit do të eliminohet në fazën e grupeve nga Kupa e Amerikës. Peruja i dha një goditje të tmerrshme brazilianëve, duke i eliminuar. Peruanët duke iu falënderuar golit të Ruidiazit në minutën e 75-të, shënuan fitore me rezultat minimal 1:0 ndaj Brazilit, në takimin e vlefshëm të grupit B. Përzgjedhësi i Brazilit, Carlos Dunga, e gjen justifikimin e eliminimit. Dunga akuzon në mënyrë të drejtpërdrejtë gjyqtarët e sfidës dhe më konkretisht kryesorin uruguaian Andres Cunha. “Me të gjithë teknologjinë që ekziston sot me kaq shumë kamera kam dyshimet e mia se përse ndodhin këto gabime kaq të mëdha”, tha Dunga. Përzgjedhësi i Brazilit është i revoltuar nga eliminimi. Goli që i dha fitoren Perusë u shënua dukshëm me dorë nga Raul Ruidiaz. Dunga shfaqi indinjatën e tij edhe për faktin se gjyqtarët u konsultuan rreth 5 minuta në radio me njëri-tjetrin dhe në fund vendosën se goli është i rregullt. “Nuk arrij ta kuptoj. Gjyqtarët e konsultuan për një kohë të gjatë dhe madje ishin duke folur me një tjetër person në radio, por nuk e di se me cilin. Ata kanë për detyrë të komunikojnë vetëm njëri-tjetrin. Janë katër gjyqtarë dhe mund të vendosin mes tyre, nuk e kuptoj aspak se çfarë ndodhi në këtë rast dhe me kë po bisedonin në radio”, tha ai. Peruja zuri vendin e parë me 7 pikë dy më tepër se Ekuadori që u kualifikuan në çerekfinale, ndërsa Brazili renditet i treti me 4 pikë dhe Haiti i fundi pa asnjë pikë. Brazili dhe Haiti paketuan valixhet për në shtëpi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat