Ndoka i përgjigjet Bashës: M’u lutët të kandidoja për ju, më ofruat drejtori

Shqipëria

Ndoka i përgjigjet Bashës: M’u lutët të kandidoja për ju, më ofruat drejtori

Më: 3 qershor 2016 Në ora: 21:03
Arben Ndoka

Arben Ndoka i është përgjigjur kreut të PD-së me një status në rrjetet sociale. Në lidhje me deklaratën e Bashës bërë mbrëmë një emision televiziv, ku u shpreh se “detyra më e lartë e Ndokës kur ka qenë në PD ishte ajo e ngritjes së flamurit”, Ndoka shprehet se ai ngre flamujt e partisë ku ka aderuar dhe jo flamuj të lyer me gjak.

“Unë ngre flamurin e partisë në të cilën kam aderuar dhe flamurin kombëtar e jo flamuj fundërrinash pa vlerë, të cilët janë lyer me gjakun e derdhur të ’97-s, me gjakun e konflikteve të krijuara nga ligji i pronave 7501, me gjakun e konflikteve të ardhura nga masakra urbane në kohën e qeverisjes tuaj, me gjakun e të vrarëve të Gërdecit dhe gjakun e protestuesve përpara Kryeministrisë”, shkruan Ndoka.

Ish-deputeti socialist thotë se është larguar nga PD-ja me kërkesën e tij personale.

“Largimi im nga detyra është bërë me kërkesën time dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme nëpërmjet protokollit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Ju më jeni lutur për të kandiduar për aleancën tuaj duke më ofruar një ndër drejtoritë e përgjithshme (që në atë kohë nuk isha kriminel) por unë zgjodha të kandidoj për Partinë Socialiste”, shkruan Ndoka në “Facebook”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat